Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, pas letrës që presidenti, Hashim Thaçi i ka dërguar kreut të LVV-së, Albin Kurtit ku i kërkon propozimin e mandatarit për kryeministër.
Deputetja shkruan se kjo është një grabitje e pushtetit në kundërshtim me Kushtetutën.
Po ashtu, në reagimin e saj të shkurtë, ajo thotë se pastaj do të pasojë legalizimi i veprimit antikushtetues përmes ndërrimit të Kushtetutës.
“ Nga PAN- i te PLAN-i. Grabitje e pushtetit në kundërshtim me Kushtetutën, e pastaj legalizim i veprimit antikushtetues përmes ndërrimit të Kushtetutës. #nukkalon”, shkruan Mulhaxha Kollçaku.
Ndryshe, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i është përgjigjur përmes dy letrave kryeministrit në detyrë, njëherësh edhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, ku i ka kërkuar një emër të ri për ta mandatuar si kandidat për ta formuar Qeverinë e re.
Në letrën e parë drejtuar Kurtit, Thaçi ka thënë se pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë (Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 07-V-013, të datës 25.03.20120), në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.