Site icon PrishtinaPress

Kolegu i Bunjakut: Pishman që nuk isha me të atë natë

Kolegu i rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën në detyrë, polici Avni Behrami, tha se të gjithë do ta ndjekin rrugën e kolegut të tij, tashmë i nderuar nga presidentja Vjosa Osmani, me titullin “Hero i Kosovës”.

Behrami, duke treguar për momentet kritike të asaj nate, tha se së bashku me rreshterin Bunjaku kanë qenë kolegë të pandashëm dhe se është pishman që nuk ka qenë së bashku me të në natën që ai është vrarë.

“Ka qenë një epror, një prijës shumë i mirë, shumë i sjellshëm i cili ka kontribuar shumë mirë vendit e ka shprehur atë vullnetin e pastër edhe ndaj kolegëve edhe qytetarëve. Për ne, nuk është lehtë me humb një rreshter si Afrimi, për ne është një inkurajim shumë i madh që e kemi pasur”.

“Ai do të jetë i përhershëm, ne do të ndjekim rrugën e tij, do të vazhdojmë në shërbim të atdheut  ne çdo pjesë të Kosovës pa dallim”, tha ai.

Behrami ka dhënë detaje se si ai dhe Bunjaku kanë pasur detyra të ndryshme atë natë, e se “i ka mbetur pikë qysh nuk qëlloi me të në atë moment”.

“Historia e ndërrimit të fundit kemi qenë se bashku deri në orët e vona dhe më është dhënë një detyrë tjetër të ura e Bistricës. Atje kam shërbyer deri vonë. Ndërkohë stacioni ka pranuar një thirrje tjetër që rruga ka qenë e bllokuar. Ai së bashku me disa koleg të tjerë janë nisur në atë drejtim dhe në ballafaqim me ata kriminelë ai ka ra heroikisht aty duke mbrojtur vendin, duke mbrojtur pjesën e Kosovës”.

“Unë kam jetuar më të, kam punuar më të ndoshta edhe kafshatën e fundit bashkë e kemi hëngër. Më ka mbet pikë se qysh nuk qëllova në atë moment, me dhënë atë kontributin edhe unë, ndoshta edhe unë isha shkua më të po të paktën të kisha qëlluar më të”, tha ai.

 

Exit mobile version