Site icon PrishtinaPress

Koci për bastisjen e ish-shefit të AKI nga Specialja: Çdo informacion i ndjeshëm që mund të jetë gjetur që s’ka lidhje me rastin duhet të mbrohet

Avokati Arianit Koci, ka reaguar në lidhje me veprimet e fundit të Speciales, ku ditëve të fundit u kryen bastisje në shtëpitë e disa personave, përfshirë këtu edhe shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, gjë për të cilën, Koci thotë se kërkohet reflektim i kujdesshëm.

Po ashtu, avokati Koci ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me informacionet e ndjeshme që mund të jenë gjetur gjatë bastisjes e të cilat nuk kanë lidhje me rastet në fjalë.

Për këto, avokati, ka kërkuar që këto informacione të mos keqpërdoren, por të njëjtat të mbrohen.

Tutje, ai ka shtuar se AKI-ja është shtyllë e sigurisë dhe ruajtja e  integritetit të saj duhet të mbetet prioritet.

Postimi i plotë:

Bastisja e shtëpisë së ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), me vendim gjykate dhe sipas ligjeve pozitive, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.

Respektimi i plotë i procedurave ligjore është thelbësor për ruajtjen e parimeve të një shteti demokratik dhe funksional.

Megjithatë, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, shqetësimi im kryesor lidhet me garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që evetualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur.

Informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.

Kam besim të plotë se institucionet përkatëse do të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi për të shmangur çdo rrezik të tillë.

Po ashtu, është jetike që të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet tona strategjike me partnerët ndërkombëtarë në sferën e inteligjencës.

Këto marrëdhënie janë të një rëndësie të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe nuk duhet të dëmtohen në asnjë mënyrë!

Agjencia e Inteligjencës së Kosovës është një shtyllë kyçe e sigurisë sonë kombëtare, dhe ruajtja e integritetit të saj, si dhe besimi i qytetarëve dhe partnerëve tanë, duhet të mbetet prioritet absolut.

Ky moment duhet të shërbejë si një mësim për të forcuar më tej protokollet e mbrojtjes së informacioneve të klasifikuara dhe për të ruajtur besimin në institucionet tona.

Exit mobile version