Site icon PrishtinaPress

Koci: Nëse Specialja s’njofton nesër për hedhje poshtë, atëherë Thaçit i është konfirmuar pjesërisht aktakuza

Avokati Arianit Koci, ka thënë se nesër para orës 24:00 Gjykata Speciale duhet të konfirmojë se aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, është hedhur poshtë, në të kundërt i bie që ajo është konfirmuar së paku pjesërisht.

“Rregulla 85 pika 5 në mënyrë eksplicite parasheh që gjykata të merr vendim jo më larg se 6 muaj. Nesër pra është afati i fundit që gjyqtari të merr vendim. Është e qartë kjo dispozitë ligjore. Janë dy mundësi. Nëse hedhet aktakuza përfundon procedura ndaj të dyshuarve. Nëse hedhet nesër është afati që të informojnë. Nëse konfirmohet aktakuza, apo pjesërisht në ndonjë pikë atëherë ata mund të fshehin faktin që është konfirmuar aktakuza deri në momentin kur i kumtohet të dyshuarve në gjyq”, tha ai në T7.

“Sipas vlerësimit tim, aktakuza është konfirmuar së paku pjesërisht. Patjetër duhet të informohen nesër nëse është hedhur aktakuzë, përndryshe shkelen të drejtat e të dyshuarve”, shtoi ai.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, derisa presidenti Hashim Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë, ku pas publikimit të aktakuzës ai kishte anuluar takimin.

Presidenti Thaçi është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Hagë gjatë muajit korrik, ndërkaq intervistimi i tij kishte zgjatur katër ditë.

Pas intervistimit, ai kishte thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës. Presidenti është shprehur i bindur se do të dal i suksesshëm nga kjo sfidë dhe  se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe për liri, dhe se për këtë kanë pasur përkrahjen e botës.

Exit mobile version