1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Koalicioni synon demarkacionin, opozita mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Pushteti dhe opozita kanë ndërmarrë dy nisma të kundërta, të cilat synojnë t’i realizojnë gjatë këtij muaji.

Qeveria i synon votat e 80 deputetëve për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Përderisa një parti opozitare, Nisma për Kosovën, po paralajmëron të nisë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovë.

Miratimi apo dështimi i demarkacionit, nga analistët politikë është cilësuar edhe si një lloj testi i mbijetesës për koalicionin aktual.

Zëvendëskryeministri dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë për Radion Evropa Lirë se PDK-ja nuk do të bëjë veprime të befasishme për partnerin e koalicionit (Lidhjen Demokratike të Kosovës) dhe as për skenën politike të vendit.

“Do të jemi në koordinim të plotë për çdo aktivitet që mund ta bëjmë dhe do ta shohim në radhë të parë interesin e vendit, interesin e Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj dhe legjitimitetin demokratik”.

“Nuk do të bëjmë diçka që do ta përshkallëzojë situatën apo nuk do të ofronte një mundësi më të madhe dhe më të mirë se sa që është ajo sot”, thotë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi thekson, po ashtu, se si partitë në pushtet, ashtu edhe ato opozitare, veprimet e tyre duhet t’i kenë të bazuara në interes të vendit dhe qytetarëve dhe pastaj mbi bazën e politikave partiake dhe ditore.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentare të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga java e ardhshme do të nisin takime me grupet parlamentare që të përpilohet forma e mocionit.

“Besoj se [mocioni] do ta ketë përkrahjen edhe nga deputetët e mazhorancës (shumicës), pasi që shumica prej tyre edhe publikisht i kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër kësaj Qeverie”.

“Po ashtu, edhe nga deputetët e LDK-së janë disa që kanë votuar edhe kundër zgjedhjes së kryeministrit Mustafa. Prandaj, ne besojmë që edhe ata do të na bashkohen me nënshkrimet e tyre dhe besoj se ky muaj do të japë atë dritën jeshile për të shkuar në shtëpi kjo Qeveri”, thekson Bajrami.

Mirëpo, tjera plane politike ka kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai thotë se brenda këtij muaji, Qeveria do ta procedojë për ratifikim në Kuvend Projektligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Kufi tjetër nuk kemi, ai është kufiri, andaj do ta ratifikojmë”, thotë Mustafa.

Ndërkaq, deputetja Bajrami, thotë se kryeministri i Mustafa, nuk do të mund ta sjell marrëveshjen e demarkacionit për ratifikim në Kuvend, dhe siç thotë ajo, Mustafa duhet ta pranojë se ka dështuar dhe duhet të tërhiqet nga Qeveria.

“Po t’ju referohesh deklaratave të kryeministrit, ai ka dy vite që ka thënë se [do ta sjell demarkacionin] në tetor, në nëntor, në dhjetor… . E pati sjellë demarkacionin, por e tërhoqi. Prandaj, ai e di shumë mirë që nuk i ka votat dhe për atë arsye edhe nuk është në gjendje që ta sjellë demarkacionin”, shprehet Bajrami.

Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se as në muajin prill e as në muajt e tjerë nuk mund të vendoset për zgjedhje e as për demarkacion, nëse nuk ka një konsensus përbashkët. Sipas tij, krejt çka shihet dhe dëgjohet për këto çështje, bëhet për konsum të brendshëm politik.

“Unë nuk besoj që pa një konsensus të përgjithshëm mund të shkohet në zgjedhje, për shkak të rrethanave edhe specifikave, të cilat i kanë edhe çështjet që kanë mbetur pezull tash e sa kohë”.

“Mendoj se interesi nacional i tejkalon këto çështje që janë subjektive dhe tendencat për rigrupim, qoftë edhe të mbledhjes së pakënaqësive individuale nga individë të caktuar, qoftë në pushtet apo edhe në opozitë”, thekson Zemaj.

Mundësia e zgjedhjeve të reja në Kosovë u përmend posaçërisht pas Konventës së VIII të Partisë Demokratike të Kosovës, kur u shpreh gatishmëria për t’u futur në garën zgjedhore.

Përmes deklarimeve për mospërmbushje të obligimeve karshi, siç thonë, qytetarëve të vendit, partitë në koalicionin qeverisës kanë shtuar kritikat ndaj njëra-tjetrës “për ngecje të proceseve të nisura, e në veçanti në rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img