Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkoi nga Prokuroria e shtetit që të hetojë kërcënimet ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Në njoftim thuhet se KMDLNj e përkrahë çdo grevë që organizohet në përputhje me ligjin dhe greva e SBASHK-ut është në përputhje të plotë me ligjin.
Lexoni të plotë reagimin:
Pas fillimit te grevës e organizuar nga SBASHK -u, në mënyrë të organizuar nisi një linçim publik medial ndaj z Rrahman Jasharaj. Me vendim të Qeverisë së Kosovës grevistëve nuk iu ekzekutua pagesa për muajin gusht shkaku se ministri i financave kishte kërkuar lista diferencuese dhe denoncuese, si kusht për të lëshuar rrogat.
Me këtë rast e pësuan edhe ata që nuk ishin pjesë e grevës. Kjo ngriti tensione dhe nxiti reagime ku fjalori fare nuk kontrollohej.
Reagimet që vinin nga bartësit e pushtetit ishin kryesisht të drejtuara ndaj Rrahman Jasharajt dhe udhëheqësve tjerë të SBASHK-ut, duke i kërcënuar edhe me ndjekje penale. Ndërkaq, një këshilltar i kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, nga Tirana akuzoi Jasharajn se, si anëtar i një partie serbe po i organizon protestat sikur që qytetarët i Kosovës i quajti kosovaristë duke shfaqur urrejtje raciste ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe duke e rrezikuar jetën e Rrahman Jasharajt pasi e cilëson si anëtar i një partie serbe.
Elvis Hoxha këtë e bën me qëllim të keq, nga pozita e një keqbërësi që merr para pa punuar asgjë apo, më mirë thënë për të përhapur urrejtje raciste.
KMDLNj ftonë Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për kërcënimet që po i bëhen Rrahman Jasharajt e që mund t'i rrezikojnë jetën si dhe familjen. Si dëshmi për nisje të hetimeve mund të merren postimet e Elvis Hoxhës, Hysamedin Ferraj dhe debatet në mediat në Kosovë.
Mund edhe mos të pajtoheni me grevën dhe me Rrahman Jasharajn por duhet të respektoni të drejtat e tyre njerëzore e që në rastin konkret po shkelen në mënyrë flagrante.
KMDLNj vlerëson se grevat duhet të jenë mjet i skajshëm dhe duhet të përdoren të gjitha mundësitë tjera para se të shkohet në grevë. KMDLNj e përkrahë çdo grevë që organizohet në përputhje me ligjin dhe greva e SBASHK-ut ështe në përputhje të plotë me ligjin. Ndërkaq, sa i përket orientimit
kombëtar të Rrahman Jasharaj, duhet të jeni i çmendur e të besoni çka thotë Elvis Hoxha.
Qeveria as që ka treguar interesim të vendosë një dialog social dhe të bashkëpunimit me SBASHK-un, përkundrazi, me të gjitha mjetet është përpjekur ta thyejë grevën duke e përçarë sindikatën për ta futur pastaj nën kontroll. Reagimi i presidentes është i vonuar, shumëkuptimësh dhe nuk lë shpresë që donë vërtetë të kontribuojë në tejkalimin e situatës përveç se bënë përpjekje të sigurojë një strategji dalëse, pa pasoja, për Qeverinë e Kosovës.
Të drejtat e njeriut, të drejtat e organizimit dhe veprimit sindikalist nuk kanë alternativë tjetër për një vend me demokraci e aq më pak kërcënimin dhe shantazhimin me të cilat populli i Kosovës ishte përballur shumë herë por nuk është pajtuar pavarësisht çmimit që e ka paguar.