Site icon PrishtinaPress

KMDLNJ: Largimi i serbëve nga institucionet i planifikuar, çështja e targave pretekst për formimin e Asociacionit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj situatës së fundit në Kosovë. KMDLNJ ka theksuar se qëllimi i vetëm i serbëve është krijimi i Asociacionit dhe se çështja e targave është vetëm një pretekst i tyre për të arritur te qëllimi.

“Pas takimit të Listës Serbe me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq u vendosë që serbët, fillimisht të katër komunave veriore të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës. Tërheqja e tyre ishte paralajmëruar më herët dhe ishte përdorur si mjet kërcënimi dhe shantazhi për përmbushje të kërkesave të tyre. Preteksti ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatje të afatit të zëvendësimit të targave ilegale përmes një procesi të përshkallëzuar, fillimisht me fletë qortimi, pastaj me gjoba 150euro dhe së fundi me konfiskim të tabelave ilegale”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ -së, afati përshkallëzues i Qeverisë së Kosovës i afrohej afatit të kërkuar nga SHBA-a dhe BE-e prej 10 muajsh, me përjashtim se ndërkombëtarët kërkonin me këmbëngulje që ky afat të mos kushtëzohet me asnjë veprim ndëshkues.

“Qeveria e Kosovës, më parë kishte shtyrë afatin sikur që edhe tani e ka shtyrë për t’iu dhënë mundësi, pa asnjë dënim dhe në kushte fort të favorshme qytetarëve serbë të veriut t’i regjistrojnë veturat me tabela unike që përdoren në territorin e Kosovës dhe që janë ndërkombëtarisht të pranuara. Serbët që jetojnë në brendi të Kosovës i kanë konvertuar tabelat, pa u përballur me asnjë problem ndërkaq që në komunat veriore i është vënë flaka veturave dhe shtëpive të atyre që i kanë konvertuar tabelat dhe kryerësit e këtyre veprimeve kriminale nuk janë hetuar e as kapur nga policia.  Pastaj, drejtori i Policisë së Kosovës për veri të Kosovës ka refuzuar dhe ka urdhëruar policët që të mos shpërndajnë fletët e qortimit për t’u suspenduar, me plotë të drejtë për shkak të shpërfilljes së zinxhirit komandues dhe thirrjes për rezistencë me të cilat i ka plotësuar të gjitha kushtet të ndiqet penalisht”, thuhet në reagim.

KMDLNJ -ë vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertim të përshkallëzuar të tabelave, ndonëse ligjërisht i pakundërshtueshëm, nuk ka qenë i duhuri aq më parë që ndërmjetësuesit kanë kërkuar shtyrje të afatit për 10 muaj.

“Qeveria, ose është dashur të pranojë këtë shtyrje të afatit duke kërkuar garanca me shkrim, ose është dashur të mos e shtyjë për asnjë ditë të vetme. Realisht, është e qartë që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ka qenë i planifikuar mirë dhe tabelat janë përdorur për të vënë në veprim përshpejtimin e formimit të Asociacionit – Zajednicës e që tani e ka marrë formën e kushtëzimit, si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, ka theksuar KMDLNJ.

Ata më tej janë shprehur se tash janë tre kërkesa, kthimi i serbëve në institucione e Kosovës që i kanë lëshuar me vetdëshirë dhe për qëllime politike, shtyrja e pakushtëzuar e afatit për konvertim të tabelave ilegale dhe, si qershizë në tortë, formimi i menjëhershëm i Asociacionit.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, në katër komuna të Veriut duhet të shpallen zgjedhjet, policët nuk mund të kthehen thjeshtë me një vendim politikë për faktin se po krijohet dhe përligjet një precedent i rrezikshëm që përmes shantazhit dhe kërcënimit, mund të arrihen edhe qëllimet politike që e dhunojnë Kushtetutën dhe vet qenien e shtetit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.

Duke komentuar protestën e organizuar në veri të Mitrovicës, KMDLNJ thekson se ishte një protestë sikur të ishte organizuar në Serbi, në kohën e Millosheviqit ku mbizotëronin vetëm flamujt e Serbisë, ku dhunohej shteti i Kosovës dhe kryeministri i saj dhe ku brohoritej për një shtet, armiqësisht kundër Kosovës – shtetit të Serbisë dhe ky publikisht thuhej se kryetari i tyre është Aleksandar Vuçiq.

“KMDLNJ -ë nuk e ka të qartë nëse këtë e kanë dëgjuar ndërkombëtarët që po insistojnë në formimin e menjëhershëm të Asociacionit – Zajednices, pa e kushtëzuar apo ndërlidhur me njohje reciproke. Vetëm mund ta merrni me mend se si do të sillen udhëheqësit e komunave të përfshira në Asociacion – Zajednicë, kur kompetencat e tyre do të jenë shumëfishë më të mëdha se që i kanë sot?! Prandaj, KMDLNj propozon që Asociacioni – Zajednica të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në reagim.

KMDLNJ shton se propozimi gjerman që qarkullon në media, nëse është i vërtetë për Asociacionin – është propozim plehër që skajshmërisht e dhunon dhe e defunksionalizon karakterin unitar të shtetit duke krijuar të gjitha parakushtet që pas 10 viteve, gjithnjë sipas propozimit franko – gjerman, nëse edhe ky është i vërtetë, për federalizim të Kosovës, me autonomi për serbët në veri dhe një Kuvend të Kosovës të përbërë prej dy dhomave, njëra për shqiptarët, tjetra për serbët kurse pakicat tjera do të përcaktoheshin sipas interesit që e kanë.

“Pozita aktuale ka përgjegjësinë kryesore të vendimmarrjes shkaku i fuqisë përfaqësuese prej 51 % kurse opozita ka përgjegjësi politike, kombëtare dhe historike të mos kalojë në heshtje këto zhvillime dhe të mos e votojë asnjë vendim apo marrëveshje që e vë në dyshim ardhmërinë e Kosovës. Pozita duhet të jetë shumë më bashkëpunuese me opozitën në mënyrë që të bëhen një zë i përbashkët nëse diçka duhet të pranohet apo të refuzohet.  Vetëm në këtë mënyrë humbjet dhe pasojat do të jenë më të përballueshme dhe më të menaxhueshme. Do të ketë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për përballjen midis pozitës dhe opozitës, pasi të shpërndahen retë mbi qiellin e Kosovës që fort e kanë mjegulluar ardhmërinë e qytetarëve që duan të jetojnë në këtë shtet, pa bërë dallime në baza etnike, bindjeve politike, statusit në shoqëri, moshës apo bindjeve fetare”, thuhet në fund të reagimit./Prishtinapress/

Exit mobile version