3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

KMDLNj: Kthimi i Nezir Mehmetajt dhe Petrit Dulës në Kosovë, mision i pamundur

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë i dërgoi një letër ministres së Drejtësisë së Serbisë, Maja Popoviq me të cilën kërkon që shtetasit e Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, që janë të privuar nga liria në Serbi të kthehen në Kosovë.

Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë nga Serbia dhe, KMDLNj mendon se as që do të ketë ndonjë përgjigje.

KMDLNj tha se ndaj Nezir Mehmetajt ka filluar gjykimi dhe ende nuk ka ndonjë vendim gjyqësor ndërsa Petrit Dula është dënuar me dy vjet burg në shkallën e parë e që nënkupton se ende nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës përgjegjëse.

“Që të dy akuzohen dhe po dënohen për vepra penale të kryera në Kosovë dhe, në rrethana normale, nëse ka prova të mjaftueshme do të duhej të gjykoheshin në Kosovë. Nuk është hera e parë që shtetasit e Kosovës, por edhe të Serbisë për vepra të kryera në Kosovë janë gjykuar në Serbi me ç’rast janë shqiptuar dënime simbolike apo edhe janë liruar nga çdo përgjegjësi penale sikur që ishte rasti i Sasha Cvijetan i gjykuar në Beograd për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Gashi ku edhe KMDLNj ka monitoruar dy seanca të gjykimit dhe të akuzuarve për masakrën ndaj familjes Berisha në Suharekë”, thuhet në ragimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, në kohën kur bashkëpunimi midis ministrive përkatëse të drejtësisë, por edhe të institucioneve tjera midis Kosovës dhe Serbisë, janë në pikën zero dhe kur Ministria e Drejtësisë e Serbisë as që e njeh Ministrin e Drejtësisë së Kosovës, “letra e ministres Haxhiu, përkundër, ndoshta e vullnetit të mirë, nuk prodhon asnjë efekt juridik, efekti është në pikën zero”.

“Letra e ministres Haxhiu vetëm i rrit shpresat, pa asnjë bazë ligjore dhe pritjet e familjeve të Nezir Mehmetajt dhe Petrit Dulës se ata mund të kthehen në Kosovë në kohën që nuk ka asnjë marrëveshje midis dy ministrive dhe kur i tërë komunikimi bëhet përmes EULEX-it i cili ka treguar gjithmonë interesim për shtetasit e Serbisë, të arrestuar në Kosovë kurse nuk ka treguar fare interesim për shtetasit e Kosovës të arrestuar në Serbi”, thuhet tutje.

KMDLNj-ja tha se Ministria e Drejtësisë e Kosovës sikur edhe shteti i Kosovës, në këto rrethana dhe në këto kushte nuk ka asnjë mundësi të realizojë kthimin e shtetasve të Kosovës që janë në burgjet e Serbisë, por ka mundësi dhe detyrim që të kërkojë që të drejtat e tyre njerëzore të monitorohen përmes vizitave të rregullta në institucionet ku mbahen, qoftë nga Zyra e Kosovës apo ndonjë mekanizmi ndërkombëtar kurse në të njëjtën kohë ka detyrim të sigurojë mbrojtje dhe ndihmë ligjore sikur që duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet për familjet e të arrestuarve dhe të ndihmojë në organizimin e vizitave.

KMDLNj-ja tha se nëse krijohen kushtet dhe sigurohet leja për qasje, është e gatshme t’i vizitojë shtetasit e Kosovës që janë në burgjet e Serbisë.

“Ministria e Drejtësisë duhet të sqarojë opinionin se në ç’farë baze ligjore është mbështetur kur është bërë kjo kërkesë në të kundërtën mund të mendohet se është bërë për konsum të brendshëm politik e që nuk iu ndihmon aspak, as të burgosurve e as familjeve të tyre përveçse ngjallë rritë pritjet dhe shpresat e familjeve, pa asnjë bazë dhe mundësi”, shtoi KMDLNj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img