Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat, por ndodhë që edhe anëtarët e tjerë të përfshihen në konflikte. Kështu ndodhi mbrëmë pas mesnate në Klinë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, por kanë hasur në rezistencë, pasi i dyshuari ka shpërfillur urdhrat e Policisë.
Përballë kësaj situate, Policia është detyruar që të përdorë forcën proporcionale, në mënyrë që i dyshuari të prangoset dhe të shoqërohet në stacion policor.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari për dhunë në familje, zyrtarët policorë kanë gjetur edhe një sasi të narkotikëve, që është sekuestruar si dëshmi.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.