Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka reaguar pas vendimit të Speciales për dënim me nga katër vjet e tre muaj dy ish-krerëve Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
- Klinaku tha se qysh nga fillimi, edhe tash, konsideron se Gjykata Speciale është gjykatë politike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
- “Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, ashtu e konsiderojmë se Gjykata Speciale është gjykatë politike”, shkroi ai në Facebook.
- “Në vend se të hetohen skandalet e prokurorisë së dhomave të specializuara që ju dolën nga zyrat e tyre në Hagë, gjykata vazhdon me vendim politik ndaj krerëve të OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, shkroi tutje Klinaku.
- Paneli i Gjykatës së Apelit ka shpallur sot aktgjykimin në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
- Ky panel ua ka zbritur vetëm për tre muaj dënimin me burg Gucatit e Haradinajt, duke i dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim, shkruan Reporteri.net.
- Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë dhe po ashtu ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.
- “Paneli cakton një dënim të njësuar prej 4 vjet e 3 muaj burgim për Gucatin e Haradinajn duke llogaritur kohën e kaluar në burg”, tha gjykatësja e panelit.
- Gjykatësja e Panelit ka thënë se të dy do të mbeten në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
- Kujtojmë se në shkallën e parë Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje. /Reporteri.net/.