Ushtruesi i detyrës së OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, tha se dënimi prej 26 vjetësh për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, është vendim politik dhe skandaloz.
Ai tha se Dhomat e Specializuara në Hagë mund të thirren në emër të popullit serb dhe jo atij shqiptar, duke iu referuar deklarimit të gjykatëses që shqiptoi dënimin ndaj Mustafës dhe e cila tha “në emër të popullit të Kosovës”.
“S’mund të ketë drejtësi derisa [Specialja] i përdor dëshmitarët dhe i fsheh nga populli. Ata të thirren në emër të popullit të Serbisë dhe jo shqiptarëve. Vetë Salih Mustafa ka luftuar për këtë popull. Populli e do Salih Mustafën sepse ai ka luftuar për lirinë e tij”.
Klinaku tha se Gjykata Speciale e ka dënuar Mustafën pa e ditur se kush i ka kryer krimet.
“Të dënohet në emër të një ndërmarrje të përbashkët kriminale, pastaj duke thënë se nuk e dimë nëse e kanë vrarë BIA apo forcat serbe -nuk e di se kush e ka bëtë vrasjen, pra është absurditet i llojit të vet”.
Ai tha se Gjykata Speciale i përdor edhe ligjet kurdo që i konvenon asaj.
Gjithashtu, Klinaku kritikoi institucionet e Kosovës se po heshtin për Gjykatën Speciale.
“Kuvendi hesht dhe nuk bën asgjë për ta shqyrtuar këtë gjykatë speciale”.
Ai tregoi se pas shqiptimit të dënimit ndaj Mustafës, kishte telefonuar Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin.
“Po vjen edhe ai [Salih Mustafa} – më thanë. I thashë: të fala i bën”.