Kryesuesi i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka ngritur disa dyshime për sjellje jokorrekte të Prokurorisë Speciale në Hagë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Klinaku pretendon se ka raste kur ZPS u ka premtuar banim jashtë Kosovës disa dëshmitarëve vetëm për të dëshmuar kundër ish-krerëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ka raste të dëshmitarëve që unë i di e që ZPS ju flet edhe serbisht dhe ju premtojnë strehim e banim jashtë Kosovës, vetëm e vetëm që të japin dëshmi të rrejshme kundër krerëve të UÇK-së, por ata janë duke refuzuar”, shkroi Klinaku në Facebook.
Ndryshe, sot, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.
Klinaku reagoi edhe ndaj këtij veprimi të ZPS-së, duke e quajtur veprim skandaloz.
“Skandali tjetër dhe poshtërsia e radhës nga Gjykata Speciale, përkatësisht pseudo Zyra e Prokurorit të Specializuar: I publikon emrat e viktimave që kinse i kanë kryer krerët e UÇK-së, e kjo bëhet para se të filloj procesi gjyqësor”, ka shkruar Klinaku në Facebook. /Reporteri.net/.