U bënë virale pamjet, në të cilat shihej se të moshuarit po e rrezikonin jetën nga tollovia e krijuar para qendres së vaksinimit në Prishtinë. Për këto u fajësua Qeveria dhe ministri Arben Vitia. Një gjendje më e qetë në qendrat e vaksinimit paraqitet sot, ndonëse qytetarë të shumtë vazhdojnë të shkojnë në këto qendra.
Me t’u furnizuar me 38 mijë e 400 vaksina, qytetarë të shumtë të moshës mbi 65 vjet u nisën drejt qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë për t’u vaksinuar kundër COVID-19
Ndonëse regjistrimi online po vlerësohet si kusht për t’u vaksinuar, shumë qytetarë po ja mësyjnë qendrave të vaksinimit për ta marrë vaksinën edhe pa aplikuar.
Kësisoj, shumë prej tyre edhe po kthehen prapa pa u vaksinuar.
Përkundër që mijëra qytetarë në Gjakovë kanë shprehur interesimin për t’u vaksinuar, vetëm 10 prej tyre janë regjistruar në faqen e-Kosova.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Adelina Shehu-Kola ka thënë për Express se ndonëse po u japin numra qytetarëve që mos të presin në rend, ata përsëri po grumbullohen para qendrës së vaksinimit.
Ajo është shprehur se interesimi për tu vaksinuar është shumë i madh, mirëpo vetëm 10 persona janë regjistruar online për ta marrë vaksinën.
“Ne jemi furnizuar të premten me 800 doza, ato janë shpenzuar të dielën. Tani jemi furnizuar edhe me 600 vaksina dhe presim menjëherë të fillojmë me aplikim të vaksinimit. Ne kemi provuar që të kontaktojmë personat që kanë aplikuar. Po provojmë t’i japim numra pacientëve në mënyrë që të mos presin, por prapë po grumbullohen. Nuk po vetëdijesohen, prapë po grumbullohen, por me asistencë të policisë gjithçka po shkon mirë”, ka deklaruar ajo.
Shehu-Kola është shprehur se ndonëse nuk po regjistrohen e po shkojnë pa radhë, të gjithë qytetarët e interesuar për t’u vaksinuar, po vaksinohen.
Ndërsa, ajo është shprehur se interesimi për ta marrë këtë vaksina nga qytetarët mbi 65 vjeç është shumë i madh.
Përndryshe, grumbull i madh i qytetarëve është parë ditëve të kaluara edhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Me e pa regjistrim, qytetarë të shumtë ia mësynë kësaj qendre më 14 maj.
Megjithatë, një gjendje më e qetë shihet sot në këtë qendër.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, ka thënë se procesi i vaksinimit po shkon në rregull dhe se po vaksinohen të gjithë ata qytetarë që janë telefonuar paraprakisht.
Ai ka deklaruar se po vaksinohen ata që janë regjistruar në platformën e-Kosova, derisa është shprehur se ata të moshuar që nuk dinë se si të regjistrohen, të asistohen nga familjarë të tyre.
“Çdo gjë është në rregull. Të gjithë qytetarët e grupmoshës 65 vjeç e mbi kanë marrë telefonatat. Të gjithë kanë marrë telefonatat dhe është konfirmuar vaksinimi i tyre. Edhe në qytetet tjera e njëjta procedurë është. Ne po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme dhe shpresoj që ky shqetësim i tyre të kaloj sa ma shpejt”, ka theksuar ai.
Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka deklaruar për Express se qytetarët e interesuar për vaksinim lajmërohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë, e më pastaj kontaktohen përmes telefonit për t’u paraqitur për vaksinim.
Ai ka thënë se janë furnizuar me 640 doza të vaksinës, ndonëse interesi për t’u vaksinuar është edhe më i madh.
“Ne jemi furnizuar me 640 vaksina. Gjithçka po shkon në rregull. Qytetarët lajmërohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare me të afërta pastaj lajmërohen përmes telefonit. Prioritet për vaksinim kanë pasur të moshuarit mbi 70-75 vjeç. Ne kemi filluar vaksinimin edhe të personave mbi 65 vjeç. Deri në 250 persona po vaksinohen në ditë nga 4 ekipe”, ka deklaruar ai.
Për shkak të interesimit të madh për t’u vaksinuar Xhemaili ka deklaruar se presin edhe më tej furnizim me vaksina.
Ndërsa, për t’u vaksinuar, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë sot se qytetarët patjetër duhet të regjistrohen në faqen e-Kosova.
Nga kjo ministri kanë treguar edhe hapat të cilat duhet t’i ndjekin qytetarët për t’u vaksinuar.
Përndryshe, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se deri në ditën e djeshme në Kosovë janë vaksinuar 39 mijë e 321 persona./GazetaExpress/