Site icon PrishtinaPress

Kjo është zyrtarja serbe e ATK-së që pengoi operacionin e Qeverisë në veri

Një grua serbe ka provuar të pengojë operacionin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e mallrave në veri të vendit, pas mbylljes së orkestruar të dyqaneve nga serbët.

Reporteri.net ka mësuar nga burimet në Administratën Tatimore të Kosovë se ajo është Katarina Nina Adançiq e cila mban pozitën e shefes regjionale në veri.

Reporteri.net mëson se ajo ende nuk është arrestuar edhe pse kishte provuar të pengonte operacionin e Qeverisë, duke iu kërkuar dokumentacione dhe duke iu thënë se “nuk guxojnë të shesin rrugëve”.

Burimet e Reporterit kanë treguar se ajo iku nga vendi sapo Policia nisi të intervenojë ndaj saj. Mësohet se ajo ishte frikësuar se mund të arrestohet.

Sidoqoftë, operacioni i Qeverisë në veri të vendit ka vazhduar, duke u dërguar mallra esenciale me kamionë, pas mbylljes së dyqaneve nga serbët e veriut me presion të Beogradit.

Edhe Haradinaj ka potencuar se operacioni për mallrat në veri do të vazhdojë si qëllim për të mbrojtur qytetarët e veriut, duke shtuar më pas se ky simulim i katastrofës është një tjetër përpjekje e dështuar e Serbisë për destabilizim të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare. Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim!”, ka thënë sot Haradinaj.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm dyqanet e serbëve të veriut qëndruan të mbyllura si pjesë e planit të Beogradit për të paraqitur “katastrofë humanitare”, që është reagim ndaj rezultateve të taksës që Qeveria e Kosovës ka vendosur që prej nëntorit të vitit të shkuar.

Exit mobile version