Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate pritet që sot ta zyrtarizojnë koalicionin për zgjedhjet parlamentare, kurdo që mbahen ato.
Në marrëveshjen mes dy partive, të siguruar nga Klan Kosova, bëhet e ditur se të dyja partitë dakordohen që të krijojnë rreshtin e përbashkët për shtetin e Kosovës, teksa bëhet e ditur se të dy partitë janë të hapura që ta zgjerojnë koalicionin.
“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë rreshtin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, kjo në partneritet të përhershëm me aleatët strategjikë, ShBA dhe BE”, thuhet në marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot nga dy kryetarët e partive.
Në marrëveshje tutje thuhet se AAK-ja dhe Nisma do të marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme.
“Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni, specifikohen me një aneks të veçantë që do t ‘i bashkohet kësaj marrëveshjeje”, thuhet në marrëveshje.
Ky është koalicioni i parë që pritet të arrihet përpara zgjedhjeve parlamentare.