Për organizatën “Syri i Popullit”, e cila ka marrë përsipër atentatin kundër avokatit Azem Vllasi, sigurisht keni dëgjuar. Por, ajo që ishte plotësisht sekret, ishte lista e personave që ishin cak i saj për ekzekutime.
Gazeta Fjala ka siguruar këtë listë me emrat e mbi 30 figurave publike në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, të etiketuar si “tradhtarë”, që duhet ekzekutuar nga Lëvizja “Syri i Popullit”.
Në të gjenden emrat e politikanëve prej viteve të 80-ta, politikanë të qeverisë në ekzil dhe të fondit të 3 përqindëshit të përfshirë aty me arsyen “përfitues prej djersës së popullit në diasporë”, pastaj politikanët e Grupit të Unitetit 2005-2007, me arsyen se ishin “pranues të dokumentit antishqiptar të Ahtisaarit”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, Kryeparlamentari Kadri Veseli, e kreu i AKR-së Behgjet Pacolli janë vetëm disa nga personat që ishin cak i ekzekutimit.
Gjithashtu, në këtë listë gjenden edhe personat kyç që janë marrë me decentralizimin dhe enklavat serbe. Por, edhe politikanë të opozitës së tashme dhe njerëz të mediave e publicistë.