Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë publike Agjendën Shtetërore për shënimin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë.
Agjenda Shtetërore konsiston nga një numër aktivitetesh që pritet që të fillojnë qysh në orët e hershme të mëngjesit e deri në ato të mbrëmjes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Dita do të fillojë me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit që do të pasohet me ngritje solemne të flamurit të Kosovës, 20 minuta më vonë.
Në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë solemne derisa një orë më vonë, prej orës 12:00 të mesditës, do të fillojë parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.
Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.
Ndërkaq, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka prezantuar edhe videon e pavarësisë në vigjilje të 17 shkurtit, ditës së shpalljes së Kosovës shtet.
Në të shihen shumë figura të lartësuara të shtetit tonë, nga fusha e kulturës e sportit. Ndërsa, në sfond dëgjohet kënga “Mos i leni dritat fikur”, nga Sabri Fejzullahu. /Reporteri.net/.