1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Kjo është agjenda e sotme e Escobarit në Prishtinë. Ditën e nis me…

I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do t’u shkojë në zyrë rend me rend, liderëve të shtetit. Këto takime të tij në Prishtinë, vinë një ditë para takimit të Kurtit me Vuçiqin në Ohër.

Emisari Escobar, ditën do ta nisë me presidenten Vjosa Osmani.

Me fillim nga ora 09:00, Osmani do ta presë Escobarin në Presidencë, derisa takimi do të pasohet me një konferencë për media.

Pas Osmanit, emisari amerikan do të niset drejt Kuvendit të Kosovës, ku në takim do ta presë kryekuvendari Glauk Konjufca.

Në njoftimin për media, bëhet e ditur se ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:20.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, z. Gabriel Escobar” thuhet në njoftim.

Qëndrimin e tij në Prishtinë, Escobar do ta finalizojë me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, do ta presë emisarin amerikan në zyrë të tij në ora 11:00.

Në komunikatën e Kryeministrisë, nuk përmendet se Kurti dhe Escobar do të deklarohen për media.

Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, zhvilloi një darkë me opozitën, nisur nga fakti se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë shprehur rezerva lidhur me propozimin evropian.

Në këtë darkë, që u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, prezentë ishin Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, dhe Ardian Gjini nga AAK, i cili e zëvendësoi liderin Haradinaj pasi ky i fundit gjendet jashtë shtetit.

Escobar qëndroi në Serbi, ku paraditen e së enjtes në konferencë për media foli edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa tha se nuk pret marrëveshje, por që ajo përfundimtare do të ndodhë brenda vitit.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Ndërsa, fakt si fakt të kryer e cilësoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet.

Gjatë konferencës në Beograd, Escobari u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile gjatë takimit në Ohër.

“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

Megjithatë, ai nuk deshi të flasë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.

Escobar rikujtoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.

“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.

Mundësia që të dyja palët t’i shohin përfitimet e kësaj marrëveshjeje, është shumë e madhe, tha Escobar dhe shtoi se “kjo është ajo që më së shumti u nevojitet serbëve në Kosovë”.

“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.

Sipas Escobarit, pozita e serbëve në Kosovë do të përmirësohet përmes zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Escobar tha se pret nga Kosova që një nga modelet e propozuara të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, të jetë model për Asociacionin.

“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të shkaktoj një konfrontim apo ta paraqes atë si një sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit… do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, u shpreh Escobar.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se në Ohër do të diskutohet edhe për pjesëmarrjen e serbëve në veri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 23 prill, si dhe për kthimin e tyre në institucionet e Kosovës.

“Unë do të doja të shihja se çfarë mund të bëjmë në Ohër për ta arritur këtë”, tha ai.

Serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës.

Escobar gjatë së mërkurës është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takim, siç thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë, është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe “mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve kompromisi dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Pas Serbisë, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img