Site icon PrishtinaPress

“Kisha frikë se po duan të ma lënë fajin”, flet shoferi që rastisi në aksidentin e ministres Hajdari

Shoferi që ishte i përfshirë në ekspertizën e rastit të aksidentit të ministres Rozeta Hajdari, në një lidhje direkte për Kiks Kosova, dha detaje për rastin.

L.I. emër i njohur për redaksinë, tha që për rastin është dënuar për parkim të paligjshëm, dhe shton se ka pasur frikë se po duan t’ia lënë fajin për aksidentin ku u lëndua një fëmijë.

Ai tregon se, derisa ishte nisur për pushime, ishte ndalur para një marketi kur edhe ka ndodhur rasti.

Shoferi në fjalë tregon se ka dalë dhe është marrë me rastin e fëmijës i cili ishte goditur nga një veturë, por thotë se nuk e ka ditur se ka qenë vetura e ministres Hajdari.

Më pas thotë të ketë vazhduar për pushim, ndërsa me t’u kthyer e ka kuptuar që ishte bërë e madhe kjo punë.

“Në ndërkohë më kanë kontaktuar nga policia për t’u lajmëruar në Fushë-Kosovë. Atje më tha një polic se duhet me të dënu se e ke shkaktu aksidentin që ka ndodh me ministren. Verbalisht më është thënë se unë e kam shkaktu aksidentin, e jam dënu për parkim të paligjshëm”, thotë ai në kushte anonimiteti.

Shoferi shtoi se ka pasur frikë se duan t’ia lënë fajin për këtë rast, prandaj thotë se ka angazhuar zyrë të njohur të avokatisë për të parashtruar ankesë.

Ai tha se ankesa, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e tij se nuk është shkaktar i aksidentit, i është refuzuar si e pabazë.

Exit mobile version