Kanadaja, Meksika dhe Kina janë zotuar t’i përgjigjen tarifave të reja gjithëpërfshirëse për eksportet e tyre në SHBA, të shpallura nga presidenti Donald Trump.
Trump tha se një taksë prej 25% për importet kanadeze dhe meksikane, si dhe një taksë shtesë prej 10% për mallrat kineze do të hyjë në fuqi të martën. Energjia kanadeze përballet me një tarifë më të ulët prej 10%.
Presidenti amerikan tha se masa ishte në përgjigje të shqetësimeve të tij për imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës – dy nga premtimet kryesore për të cilat ai u zgjodh.
Si përgjigje, Kanadaja dhe Meksika thanë se po përgatisnin tarifa të ngjashme për mallrat amerikane, ndërsa Kina shtoi se do të merrte “kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime”.
Zbatimi i tarifave dhe hakmarrja pasuese mund të shënojnë fillimin e një epoke të re të luftërave tregtare globale.
Ekonomistët kanë paralajmëruar vendosjen e taksave të importit nga SHBA-ja dhe përgjigjet nga vendet e tjera mund të çojnë në rritjen e çmimeve në një gamë të gjerë produktesh, nga makinat, lëndë druri dhe çeliku te ushqimi dhe alkooli.
Por Trump ka treguar se është i gatshëm të përshkallëzojë më tej masat nëse vendet hakmerren, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv