Site icon PrishtinaPress

Kina ka ngritur mbi 100 “stacione policore” në mbarë botën, përfshirë edhe në vendet e Ballkanit

Pekini ka ngritur më shumë se 100 të ashtuquajtura “stacione policore” jashtë shtetit në të gjithë globin për të monitoruar – dhe në disa raste riatdhesuar – shtetasit kinezë që jetojnë në mërgim, duke përdorur marrëveshjet dypalëshe të sigurisë të arritura me vendet në Evropë dhe Afrikë.

“Safeguard Defenders” me bazë në Madrid të Spanjës thotë se gjeti prova që Kina po operonte 48 ‘stacione policore’ shtesë jashtë vendit që kur grupi zbuloi për herë të parë ekzistencën e 54 stacioneve të tilla në shtator.

Publikimi i tij i ri fokusohet në shkallën e rrjetit dhe shqyrton rolin që kanë luajtur iniciativat e përbashkëta policore midis Kinës dhe disa vendeve evropiane, duke përfshirë Italinë, Kroacinë, Serbinë dhe Rumaninë.

“Safeguard Defenders”, tha se ka identifikuar katër juridiksione të ndryshme policore të Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës aktive në të paktën 53 vende, duke përfshirë të katër anët e globit, me sa duket për të ndihmuar emigrantët nga ato pjesë të Kinës me nevojat e tyre jashtë vendit.

Pekini ka mohuar se po drejton forcat e padeklaruara të policisë jashtë territorit të tij, me Ministrinë e tij të Punëve të Jashtme që i tha CNN në nëntor: “Shpresojmë që palët përkatëse të ndalojnë së proklamuari për të krijuar tensione. Përdorimi i kësaj si pretekst për të njollosur Kinën është i papranueshëm”.

Në vend të kësaj, Kina ka pretenduar se objektet janë qendra administrative, të krijuara për të ndihmuar emigrantët kinezë me detyra si rinovimi i patentës së tyre të shoferit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kina ka thënë gjithashtu se zyrat ishin një përgjigje ndaj pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, e cila kishte lënë shumë qytetarë të mbyllur në vende të tjera jashtë Kinës, të paaftë për të rinovuar dokumentacionin.

Megjithatë, raportet kanë nxitur hetime në të paktën 13 vende të ndryshme deri më tani dhe kanë ndezur një përplasje diplomatike gjithnjë e më të nxehtë midis Kinës dhe kombeve si Kanadaja, shtëpia e një diaspore të madhe kineze.

Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina ka zhvilluar një marrëdhënie të thelluar me shumë nga vendet ku supozohet se janë gjetur “stacionet e reja të policisë”, duke ngritur pikëpyetje të sikletshme për qeveritë kombëtare nëse “po balancojnë interesat tregtare kundër sigurisë kombëtare”./Prishtinapress/

Exit mobile version