Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i Rusisë, dhe homologu i tij kinez, presidenti Xi Jinping, u takuan të mërkurën në Pekin.
Ata kërkuan një armëpushim dhe negociata në mënyrë që të arrihet një zgjidhje politike e konfliktit në Ukrainë.
“Thelbi i qëndrimit të Kinës është të bëjë thirrje për paqe dhe të inkurajojë bisedimet, si dhe të respektohen shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve”, u citua të ketë thënë Xi nga transmetuesi shtetëror kinez CCTV.
Takimi midis të dyve arriti në një miratim të një propozimi paqeje prej 12 pikash kineze, që bën thirrje për integritet territorial.
Bjellorusia “pajtohet plotësisht dhe mbështet pozicionin dhe propozimet e Kinës për një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës, e cila ka një rëndësi të madhe për zgjidhjen e krizës”, citon CCTV të ketë thënë Lukashenko.
Duke iu referuar qartë ShBA-së dhe aleatëve të saj, Xi shtoi se “vendet përkatëse duhet të ndalojnë politizimin” dhe në vend të kësaj të marrin masa që “përparojnë vërtet një armëpushim” dhe të ndalojnë luftën për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore.