Ministri kinez i Mbrojtjes, Li Shangfu, ka paralajmëruar të dielën kundër krijimit të aleancave ushtarake të ngjashme me NATO-n, në rajonin e Azi-Paqësorit, duke thënë se diçka e tillë mund të përballë atë zonë me “vorbull” konflikti.
Komentet e tij kanë ardhur një ditë pasi anijet e ushtrisë amerikane dhe asaj kineze, kanë lundruar afër njëra-tjetrës afër Ngushticës së Tajvanit.
Ky incident ka provokuar zemërim te të dyja palët.
“Tentimet për të krijuar aleanca të ngjashme me NATO-n në Azi-Paqësor, janë mënyrë për t’i kidnapuar shtetet rajonale, dhe për të nxitur konflikte dhe përballje”, ka thënë Li në një konferencë të sigurisë në Singapor.
Në këtë konferencë po merr pjesë edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Komentet e Li-së, kanë vënë edhe më shumë në pah mllefin e Kinës për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara që të krijojë aleanca në atë rajon, për ta kundërshtuar rritjen e Pekinit.
Shtetet e Bashkuara janë pjesë e paktit AUKUS, në të cilin bëjnë pjesë edhe Australia dhe Britania.
Uashingtoni është edhe anëtar i grupit QUAD, në të cilin bëjnë pjesë Australia, India dhe Japonia.
“Sot, Azi-Paqësori ka nevojë për bashkëpunim të hapur dhe gjithëpërfshirës, jo për krijim të grupeve të vogla”, ka thënë Li.
Ai ka tentuar ta paraqesë SHBA-në si nxitëse të mungesës së qëndrueshmërisë në rajon, dhe Kinën si vend në kërkim të uljes së tensioneve.
“Nuk mund të mohohet se në rast të ndonjë konflikti apo përpalljeje në mes të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dhimbja për botën do të ishte e padurueshme”, ka thënë mes tjerash ai.