Një nga këshilltarët kryesorë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi se kundërofensiva për çlirimin e territoreve të okupuara ukrainase do të jetë “e gjatë dhe e vështirë”, duke theksuar se Kievit i duhen më shumë tanke dhe avionë F-16 nga aleatët e tij në Perëndim.
Që nga fillimi i qershorit, forcat e armatosura të Ukrainës kanë nisur një operacion të madh për të zmbrapsur trupat ruse në pjesët jugore dhe lindore të vendit. Megjithatë, kundërsulmi ukrainas nuk ka dhënë rezultatet e pritura, pasi forcat ruse kanë fortifikuar pozicionet e tyre dhe kanë hedhur mina në zonat përreth.
“Pa dyshim, ky operacion do të jetë mjaft i vështirë dhe do të marrë shumë kohë”, tha për AFP këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak.
Sipas tij, pengesa më e madhe për avancimin e forcave ukrainase janë zonat e gjera që ushtria ruse ka minuar, të cilat në disa raste arrijnë një rreze prej “4-16 kilometra”.
Me gjithë ndihmën ushtarake që ka marrë deri më tani nga Perëndimi, forcat e armatosura të Ukrainës kanë ende nevojë për më shumë, theksoi Podoliak, ndërsa pranoi se “industritë e mbrojtjes (në Perëndim) nuk ishin të përgatitura për kërkesat e larta.
Podoliak vlerësoi se Ukraina ka nevojë për një shtesë “200-300 automjete të blinduara, kryesisht tanke”, “60-80 avionë F-16” dhe “sisteme të mbrojtjes ajrore 5-10” (patriot amerikan ose grupe SAMP/T franceze).
“Ne gjithashtu kemi nevojë për predha,” vazhdoi Podoliak, duke shpjeguar se forcat ukrainase përdorin rreth 4500-6000predha të kalibrit të madh çdo ditë. “Ne duhet të jemi në gjendje të lëshojmë 150-200 raketa me rreze të gjatë veprimi çdo muaj”, shtoi ai.
Këshilltari i presidentit ukrainas përjashtoi çdo negociatë me Rusinë, qëllimi i së cilës është – sipas Podoliak – “shpërbërja” e Ukrainës dhe “kontrolli total” i ish-republikave sovjetike. /Abc news