Ndonëse kanë mbetur më pak se një muaj mandat, Komisioni Hetimor Parlamentar për Rezervat nuk po arrin të shtyjë para agjendën, pasi pushteti e opozita nuk po gjejnë dakordim.
Për të shtyrë para agjendën, komisioni po mban mbledhjen e radhës, në të cilën nga shumica propozuan që të konsultohet Ligji për Qasje në Dokumentacion të Kualifikuar para se t’i kërkohen dokumente ministrisë.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se ministria e ka për obligim që me një të tretën e nënshkrimeve të këtij komisioni t’i sjellë dokumentet.
Kica Xhelili ka pasur edhe një përplasje me deputetin e VV-së, Driton Hyseni, për periudhën sa ishte në LVV dhe gjithçka nisi kur Hyseni tha se e kupton “sikletin e deputeteve që ushtrojnë mandate të vjedhura nga forcat politike me të cilat kanë garuar”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kica-Xhelilit, e cila i tha se pa Vjosa Osmanin dhe Listën Guxo, LVV nuk do të mund të merrte 50 për qind të votave.
“Gjithmonë dilni në tema tjera. Për këtë çështjen e votave, pa Vjosa Osmanin dhe Listën Guxo në atë kohë kurrë nuk do ta shihnit 50%. Kur jemi të ky diskutim një gjë duhet me pas parasysh, ne jemi te djathtë- Lista ka qenë e djathtë. Lista nuk do të duhej me u bë e majtë. Po të isha e majtë do të isha në LVV. Kam pas rezistencë të brendshme të skajshme. Votuesit me të cilët kam komunikuar, sot vijnë me mu nëpër terren dhe në raport me atë se a e kam zhgënjy ndonjë votues. Vijnë zgjedhjet dhe e shohim.”, tha ajo.