Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca që të kërkojë përjashtimin e anëtarëve të VV’së nga komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, pasi i njëjti tri herë ka dështuar të konstituohet si pasojë e mungesës së deputetëve të pushtetit.
Ajo tha se në bazë të Ligjit për Hetim Parlamentar, lejohet zëvendësimi i anëtarëve të Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore.
“Meqë na keni bllokuar duart me pyetje parlamentare, me debat, me raportim atëherë le t’iu mbetet juve si kryetar i Kuvendit që të bëni kërkesë për përjashtimin e tyre dhe të qartësojë departamenti ligjor si mund të vijojmë me përjashtimin e tyre”, tha ajo.
Më pas Konjufca tha se departamenti ligjor shumë lehtë mund ta japë një interpretim lidhur me këtë çështje dhe pastaj i marrin masat e nevojshme sipas ligjit.
“Departamenti ligjor shumë lehtë mund të na jap një interpretim lidhur me këtë çështje dhe pastaj ne i marrim të gjitha masat e nevojshme sipas ligjeve tona”, tha Konjufca.