Sot është mbajtur një protestë nga qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut, duke shprehur pakënaqësi rreth rregullorës së Bankës Qendrore që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, e cila si valutë të vetme të pagesës e njeh Euron.
Kjo protestë u mbikëqyr nga ana e KFOR-it, përkatësisht nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe.
Forcat paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, e vlerësuan si paqësore.
“KFOR-i vazhdon të operojë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët ne koordinohemi rregullisht”, thuhet në njoftim.
KFOR-i rithekson se është “plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes”.