Site icon PrishtinaPress

KFOR-i në Leposaviq shpërfill kërkesën e serbëve për largimin e kryetarit nga zyra

Në ditën e tretë të protestave në veri, tensionet më të mëdha u panë në Komunën e Leposaviqit. Persona të maskuar kanë qenë mes turmës e politikanë serbë qëndruan në ballë, të cilët te pjesëtarët e KFOR-it paraqitën një numër kërkesash, përfshirë atë për largimin e kryetarit të ri të komunës që ndodhet në zyrë nga e hëna. 

Serbët lokalë tashmë kanë nisur të vendosen para e rreth ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Afër derës së objektit qëndrojnë tri autoblinda të Policisë së Kosovës, por policët nuk shihen askund.

E brenda ndodhet kryetari Lulzim Hetemi, i cili që nga e hëna që ka dalë në punë, nuk është larguar nga aty.

Pranë telave gjemborë përreth Komunës, që i ka vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, po bëjnë rojë trupat ushtarake italiane.

Ata morën disa të shara nga protestuesit, ashtu si edhe ekipi i KOHËS, të cilit iu kërkua me ngulm që të kthehej në Prishtinë.

Në KFOR thanë se nuk e kanë në kompetencë t’i mbrojnë gazetarët, përpos në rastin kur u rrezikohet jeta. Megjithatë, dhanë leje për t’i kaluar telat gjemborë.

Para Komunës nis grumbullimi i qytetarëve nga të gjitha rrugicat, e në mesin e tyre edhe zyrtarë të punësuar në komunën paralele, të cilët kërkuan qasjen në zyrë.

Me disa fjalë në italisht, herë përshëndesin e herë sulmojnë verbalisht italianët e KFOR-it.

Rezolutën 1244 e ka gravuar në helmetë ky protestues me të cilën po bën gjiro nëpër turmë.

Dielli nisi t’u pengojë paksa, por shpejt bënë zgjidhje.

Një çare iu bë edhe atyre që s’mund të qëndronin gjatë në këmbë

Prezenca e gazetarëve vazhdon të mos u pëlqejë, e pengesa në punë si kjo janë të vazhdueshme.

Në një moment, protestuesit shpalosën kërkesat para KFOR-it. Donin heqjen e flamurit të Kosovës, largimin e kryetarit nga objekti e edhe largimin e Policisë dhe KFOR-it. Ato i prezantuan ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.

KFOR-i u dha leje për t’u futur brenda në oborr e ta zgjerojnë muhabetin.

Ushtarakët folën me ta, por zgjidhje s’iu gjetën.

Në Kishën ortodokse përballë Komunës, politikanët serbë pastaj folën me disa përfaqësues të protestuesve.

I vazhduan negociatat me KFOR-in, gjatë së cilës kohë pranë rrethojave brenda turmës u shfaqën persona me maska, të cilët filluan t’i shtynin e sulmonin gazetarët.

Njërës prej mediave ia thyen kamerën.

Më pas nisi sulmi me vezë dhe u vendosen shenja në rrugë, të cilat gazetarët u urdhëruan të mos i kalonin.

As kjo nuk u mjaftoi. Disa protestues u angazhuan ekskluzivisht të pengojnë filmimet.

Disa metra poshtë ndërtesës së Komunës e më afër Stacionit të Policisë persona të maskuar nisën një ofensivë tjetër.

Rreth orë 14:00, afro pesë persona të maskuar kanë sulmuar dy vetura të mediave të Shqipërisë, A2 CNN dhe TV News duke ua demoluar veturat. Gazetarët që kanë qenë aty shprehen se KFOR-i e ka parë tërë situatën, por nuk është ndalur t’i pyesë për gjendjen e tyre shëndetësore.

Minuta pas kësaj situate, KFOR-i amerikan shkoi drejt objektit të Komunës për t’i ndërruar kolegët e tyre italianë, por u pritën me sharje nga shumica serbe.

Pasdite, moti nisi të ftohet dhe ra edhe shi. Turma u zvogëlua, por protestës nuk iu dha fund.

Kryetari po qëndron në Komunë e serbët para saj

Exit mobile version