1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

KFOR-i i gatshëm për përballje me çdo lloj skenari gjatë zgjedhjeve në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i gatshëm për t’u përballur me çdo lloj skenari gjatë zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës.

Data për t’iu drejtuar kutive të votimit është 23 prilli, dhe megjithëse janë ngritur shqetësime se Lista Serbe, e cila nuk do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve, mund të shkaktojë tensione gjatë procesit zgjedhor, KFOR-i vlerëson se në këtë moment nuk ka indikatorë të problemeve të sigurisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, misioni ndërkombëtar i sigurisë thekson se po ruan nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo lloj skenari për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ruajtur lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës.

“Policia e Kosovës është autoriteti që ofron siguri gjatë zgjedhjeve. KFOR-i po monitoron situatën sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë moment nuk ka indikatorë të rinj të problemeve të sigurisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, por KFOR-i ruan nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo lloj skenari për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ruajtur lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Gjatë ditës së djeshme, Klankosova.tv e ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës e cila po ashtu ka bërë të ditur se me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore konform urdhrit operativ, i cili parasheh të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, si dhe konform planifikimeve operacionale policore. Po ashtu edhe në rastet kur organizohen zgjedhje lokale apo qendrore, përfshirë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat në veri të vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore konform urdhrit operativ, i cili parasheh të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ende pa kryetarë për shkak të dorëheqjes që bënë serbët, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se do të ketë shqiptim të gjobave për vozitësit e veturave me targa ilegale.

Zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të shkuar, u shtynë për shkak të tensioneve dhe barrikadave që kishin ngritur grupet kriminale në veri të dirigjuara nga Beogradi, njofton Klankosova.tv.

Tani kur ekziston një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, duket se janë pjekur kushtet që më 23 prill, të mbahen zgjedhjet e lira në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img