Site icon PrishtinaPress

KFOR-i, EULEX-i e PK nesër me stërvitje të përbashkët, Ulutas: Një përkushtim i fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, nesër në kampin e Vrelos do të zhvillojnë stërvitjen e përbashkët e quajtur “Golden Sabre 2024″.

Siç thuhet nga misioni, stërvitja synon të testojë aftësinë për të zbatuar procedurat e përbashkëta të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm sigurie.

“Do të përfshijë një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe asetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e tij dhe përgjatë rrugëve kryesore ngjitur. Stërvitja është reflektim i bashkëpunimit dhe përkushtimit tonë afatgjatë për të mbështetur sigurinë e përhershme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, ka thënë KFOR-i.

Komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutash theksoi se stërvitja simbolizon një përkushtim të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

“Duke bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për të përballuar sfidat dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal. Mezi presim përfundimin me sukses të kësaj stërvitje dhe vazhdimin e bashkëpunimit mes të gjithë të përfshirëve”, tha Ulutash.

Misioni shton se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, për të ofruar një mjedis mbrojtës dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Exit mobile version