Site icon PrishtinaPress

Këto janë masat e reja që u propozuan nga ministri Vitia në takim me kryetarët e komunave

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim virtual me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar situatën lidhur me pandeminë Covid–19 me theks të veçantë për masat e reja kundër kësaj pandemie pas datës 13 shtatorit.

Ministri Vitia informoi kryetarët e komunave me propozim masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator dhe do të vlejnë deri me 26 shtator 2021.

“Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator, lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra, institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial, gastronomia vazhdon, si edhe masat e deritashme. Po ashtu, është propozuar që në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani”.

“Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator. Ndryshe masat tjera vazhdojne siç kanë qenë në këto dy javët e fundit. Nga data 27 shtator do të kemi masa të reja në varësi nga analizat dhe situatën që mund ta kemi në atë kohë në bashkëpunim me IKSHP dhe institucionet tjera shëndetësore në nivel vendi”, thuhet në komunikatën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit tjerë komunalë të pranishëm në këtë takim online me ministrin e Shëndetësisë paraqiten edhe sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks në çështjet e vaksinimit dhe furnizimit me barna shëndetësore.

Exit mobile version