Site icon PrishtinaPress

Këto janë autoblindat e para që FSK pritet t’i marr këtë vit (Foto)

Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit pritet të pajiset me autoblinda e para të modelit amerikan HMMW.

10 autoblinda “Humwie” pritet të hyjnë në inventarin e FSK-së e cila sivjet është në pritje të një vendimi politik për të marrë detyrat e një ushtrie që i takojnë.

Ministria e  Forcës së Sigurisë, në një përgjigje për Indeksonline, ka konfirmuar se ka bërë planifikimin buxhetor për blerjen e tyre.

“MFSK/FSK për vitin fiskal 2018 ka paraparë blerjen e automjeteve të blinduara dhe kjo, pra blerja do të zhvillohet sipas procedurave të prokurimit”, thuhet në përgjigje.

Në fakt kërkesa për blerjen e këtyre autoblindave ishte bërë gjatë vitit 2017, por që ishte anuluar ky tender për shkak se kompania amerikane kishte njoftuar se prodhimi i autoblindave të porositura nuk mund të nis deri në muajin maj të 2018-ës.

Në një përgjigje të Ministrisë së FSK-së, dhënë për Indeksonline, thuhej se për shkak se kjo datë tejkalonte vitin fiskal 2017, ata kanë qenë të obliguar ta ndërpresin procedurën tenderuese dhe për këtë është njoftuar edhe prodhuesi dhe institucionet tona përkatëse.

“Ju njoftojmë se është ndërprerë procedura e prokurimit për blerjen e automjeteve taktike të blinduara të tipit HMMW, për shkak të informacionit të marrë nga prodhuesi në SHBA, se ai për shkak të procedura administrative dhe lejes së eksportit, distribuimin e automjeteve nuk mund ta bëjë para 23 majit 2018. Për shkak se kjo datë tejkalon vitin fiskal 2017, kemi qenë të obliguar ta ndërpresim procedurën tenderuese dhe për këtë kemi njoftuar prodhuesin dhe institucionet tona përkatëse”,

Sipas tyre i tërë procesi ishte realizuar në pajtueshmëri me këshilltarët e NATO-s, dhe autoritetet vendore.

“I tërë ky proces është realizuar në pajtueshmëri të plotë të ministrit të FSK-së, komandantit të FSK-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sipas rekomandimeve të Komisionit Vlerësues, i cili gjatë tërë kohës ka qenë i monitoruar nga dy këshilltar të NATO-s, ekspert për prokurim dhe logjistikë”, thuhej në përgjigje

Vlera e atëhershme e kësaj porosie ishte prej 3.85 milion eurove, e paraparë për këtë aktivitet të prokurimit, e cila më pas ishte deklaruar si kursim buxhetor.

Exit mobile version