Mungesa e noterëve në shumë komuna të Kosovës është duke shkaktuar pakënaqësi të madhe të qytetarët.
Përveç se udhëtimi në qytete të afërta për të marrë shërbime noteriale është duke u bërë me kosto më të lartë, qytetarëve është duke u shpenzuar edhe kohë.
Një gjë e tillë duket se nuk do të rregullohet edhe për disa kohë.
Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar për Indeksonline-n se aktualisht janë vetëm 50 noterë aktivë në të gjitha komunat e Kosovës.
“Aktualisht kemi pesëdhjetë noterë aktivë në Republikën e Kosovës, kurse numri i tyre pritet të shtohet pas organizmit të provimit të ri të noterisë”, thonë nga ministria.
Përveç se numri i vogël i noterëve është brengosës, po aq shqetësues është edhe procesi i konkursit të anuluar.
Më 2020, ministrja Albulena Haxhiu kishte anuluar konkursin e noterëve.
Provimin e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.
Anulimi i këtij konkursi është hapur si rast edhe në gjykatë, aty edhe ku është bërë një me sirtarin.
Lidhur me këtë, MD-ja thotë se do të ushtrohen kompetenca përkitazi me rrethanat dhe nevojat për shtim të numrit të noterëve.
“Sa i përket konkursit të vitit 2019, ai ka kaluar në disa procese gjyqësore, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të ushtrojë kompetencat e saj përkitazi me rrethanat dhe nevojat e tanishme për shtimin e numrit të noterëve”, deklaron Dikasteri për drejtësi i Qeverisë.
Një provim të noterisë “shumë shpejt” e kishte e paralajmëruar Haxhiu në muajin maj.
“Shumë shpejt do të organizohet provimi për noterinë i cili ka për qëllim rritjen e transparencës dhe cilësisë. Problemi me mungesën e noterëve në komuna, do të zgjidhet shumë shpejt”, kishte deklaruar Haxhiu, më 30 maj.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë për Indeksonline-n se konkursi i ri do të hapet këtë javë.
“Ministria e Drejtësisë do ta shpallë konkursin për dhënien e provimit të noterisë gjatë javës së parë të nëntorit.”
Pa noterë vazhdojnë të mbesin komunat: Skenderaj, Junik, Han i Elezit, Mitrovicë e Veriut, Zubin- Potok, Zveçan, Leposaviq, Ranillukë, Partesh, Kllokot dhe Mamushë./Indeksonline/