Site icon PrishtinaPress

Këta janë zyrtarët e MPB-së dhe biznesmenët që u ndaluan për ryshfet me tenderë

Policia e Kosovës ka ndaluar katër persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për ryshfet gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se zyrtarët e MPB-së që u ndaluan janë Adem Sopa – zyrtar prokurimi dhe B.B.

Ndërsa biznesmenët Naim Selmani dhe Gzim Hoti në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik u ndaluan nën dyshimin për ofrimin e shumave të majme ryshfeti për një tender, thonë burimet tona.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas zhvillimit të hetimeve sot me datë 03.07.2023 kanë realizuar një operacion policor me ç ‘rast është zbatuar urdhër kontrolli i gjykatës në tri lokacione dhe personat e dyshuar janë ftuar për intervistim.

Për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtar duke vepruar në bashkëpunim gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.

Të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provës materiale.

Pas intervistimit të dyshuarit A.S., B.B., N.S., G.H. me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohen për 48 orë, ndërsa e dyshuara N.SH. lirohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet dhe masa ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë personave të përfshirë në vepra të kundërligjshme, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryejnë.

Exit mobile version