Site icon PrishtinaPress

Këta janë krejt personat e kompanisë që Amerika i futi në listën e zezë

Departamenti amerikan i thesarit ka renditur një listë të gjatë biznesesh e individësh të cilët iu nënshtrohen tash e tutje sanksioneve amerikane. Pashmangshëm aty është nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, dhe i dyshuari për kontrabandë në Veri për kohë të gjatë, Zvonko Veselenovic, të dy të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Si dhe njerëz të tjerë përreth tyre.

Kompania “RAD”, e ndërlidhur me Radojçiqin që është përmendur në këtë raport amerikan, është kontraktor madje edhe i Qeverisë së Kosovës, por edhe për shumë tenderë, është kontraktor i komunave, e me theks të veçantë i atyre me shumicë serbe.

Pas këtij raporti, Zyra Amerikane për Asetet e Jashtme ka freskuar listën e individëve e kompanive që sanksionohen nga shteti amerikan në Kosovë, apo ajo që njihet si lista e zezë e Amerikës.

Kësaj liste i prin Andrija Zheljko Bojiq që cilësohet si personi që ka ndihmuar materialisht, sponsorizuar dhe ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike në mbështetje të Veselinoviqit.

Po për lidhje me Veselinoviçin, në listë është futur edhe Zeljko Bojic, i lindur në vitin 1969, serb i Kosovës. Bojiq, ish-polic në veriun e Kosovës, konsiderohet si një prej personave të dyshuar për lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, më saktë, për fshehjen e provave që mund të conin në zbardhjen e këtij krimi. Njësia Speciale e Kosovës në vitin 2019-të pati bastisi banesën e Bojic, ndonëse këtë të fundit nuk e gjeti aty pasi dyshohet se është arratisur në Budva të Malit të Zi, arrestoi djalin e tij Velko Bojiq.

Sanksione i janë vënë edhe “Farma Izvori”, kompani që merret me rritjen e pemëve e perimeve, data e themelimit 29 maj 2015. E lidhur me Sinisha Nedeljkovic.

Lista po ashtu është freskuar me emrin e kompanisë “FERARI PREDUZEE”, kompanisë që merret me shitjen me shumicë të makinerive dhe pajisjeve të tjera, kompani që nisi në vitin 2002 dhe e ndërlidhur me Zvonko Veselinovic.

Kësaj liste nuk i mungojnë as kosovarët me kombësi shqiptare. Donata Kelmendi nga Peja, vajza e Naser Kelmendit që medialisht portretizohet si bosi i trafikut të drogës në Ballkan, është në atë listë sanksionesh.

Në listë po ashtu është edhe babai i saj, Naseri, si dhe vëllai i saj Elvisi. Në këtë listë të zezë sanksionesh pastaj janë renditur edhe bizneset e kontrolluara nga ta si “Kaza grande”, firmë për eksport-import në Mal të Zi, Hotel Kaza Grande në Ulqin, kompania afariste Donata nga Mali i Zi, pastaj hotel Kaza Grande nga Bosnja dhe kompania Dona-Shell, selia e së cilës është në Kosovë. Naser Kelmendi është gjykuar edhe në Kosovë.

Elvis Kelmendi ishte shfaqur në publik në vitin 2019, ku përmes një video inçizimi kishte kërcënuar Demë Elshanin, me familjen e të cilit janë në hasmëri që 21 vite. Elvis Kelmendi ishte vënë në listën e zezë të SHBA-së si trafikant i drogës, së bashku me babain e tij Naser Kelmendin dhe vëllezërit Besnikun dhe Liridonin. Ai po vazhdon të kërkohet nga Policia e Kosovës.

Lista e zezë për kosovarë vazhdon me Milan Mihajlovic, i lidhur me Zvonko Veselinoviçit i përshkruar si lideri i një Grupit të Organizuar Kriminal.

Po për lidhje me Veselinoviçin në listë është futur edhe Sinisha Nedeljkovic,nga Zveçani që njihet me pseudonimin “Sinisha Metal”. Pos aseteve në Kosovë, nën sanksione janë edhe asetet e tij në Serbi, që sipas raportimeve, janë shtatë kompani serbe, por në publik dihen “Metal Robna Kuça” dhe “Markom Metal Commerce”.

Lista e zezë amerikane ka sanksionuar edhe kompaninë “BABUDOVAÇ” që merret me shitje me shumicë të ushqimeve, pijeve dhe duhanit dhe është e lidhur me emrin e Miljan Radisavljeviç.

Firma tashmë e famshme e tenderëve në Kosovë, por jo vetëm. “RAD”, është e dallueshme lehtë në listën e zezë të sanksioneve. Ajo ka fushëveprim ndërtimet. Autoritetet amerikane, por jo vetëm ato, e përshkruajnë si kompania që kontroll direkt ushtron mbi të nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq.

Për lidhje me të dyshuarin tjetër si bos i kriminalitetit në Veri, Zvonko Veselinoviç, shteti amerikan ka sanksionuar edhe Radovan Radiç, Miljojko Radisavljeviç e Milijan Radisavljeviç, nga Zubin Potok.

Pos kompanisë “RAD”, vend të veçantë i është bërë në listë vetë Millan Rajko Radojçiqit, i lindur në Gjakovë. Pos me kontrabandë, tenderë, ndikim politikë, emri i lidhet me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanovic.
Milan Radojiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviç, i njohur si ‘baba i urës së Ibrit’.

Pos shtetit amerikan, edhe vet shteti serb i ka hetuar këto dy fytyra të botës së krimit në Veri. Një raport i shërbimit sekret serb, BIA që ishte pjesë e dosjes së Vesjeljenoviçit e që e ka siguruar InDoks thotë se ky shërbim ka fakte se Veselinoviq e Radojçiq janë liderë të grupit kriminal në veri të Kosovës e që ka lidhje të fuqishme me shumë persona nga Serbia dhe bota e jashtme dhe për një periudhë të gjatë kohore ndërmerr aktivitete të tregtisë ilegale me narkotik, kontrabandë me armë, municion shpëlarje të parave.

BIA konstaton se Veselinoviçi drogën e merr nga shqiptarët, derisa atyre iu sjell në Kosovë armë ilegale.

“Pjesa më e madhe e armatimit dhe municionit të me të cilat Veselinoviçi furnizohet në Serbi në mënyrë ilegale i e shpërndan në hapësirën e Kosovës me ndërmjetësimin e Ismet Osmanit-Currit, i cili, për këtë qëllim, e ka lidhur me anëtarët e grupeve kriminale nga rajoni i pjesës jugore të Mitrovicës”, thuhet në këtë raport që është deponuar në Gjykatë.

Shërimi serb thotë se Veselinoiçi e përdorte Veriun e Kosovës madje edhe për të mashtruar Serbinë, pasi që nafta që dedikohej pa taksë nga Serbia për serbët në veri të Kosovës ai e ri-shiste në Jug të Serbisë pastaj si të kontrabanduar. Për këtë ai e ka përdorur firmën “Knez Petroll”.

Raporti thotë dhe se Veselinoviçi një pjesë e parave të fituara me krim i plason në rrjedhe legale financiare, me investime në ndërtimtari në Veri të Kosovës apo në blerje të patundshmërive në Serbinë qendrore, si dhe duke i dhënë ato para me fajde.

Edhe EULEX kishte krijuar dosje të veçantë për Veselinoviç, e kishte mbledhur copëza të historisë kriminale të Millan Radojçiqit, që ktheheshin pas që në vitin 2003.

Në listën e zezë është futur edhe firma “RADOVAN RADIç” që merret me ndërtimin e projekteve të tjera të inxhinierisë civile, si dhe pronari i saj me emër të njëjta, pastaj firma “RADULE STEVIç”, që po ashtu ka për pronar personin me emër të njëjtë,.

REVIVAL OF ISLAMIC HERITAGE SOCIETY, është një grup organizatash fetare që figuron në këtë listë të zezë. Në të janë disa organizata, kryesisht jo-qeveritare, të themeluara në Kosovë, që janë sanksionuar nga shteti amerikan dhe dallohen “RIHS-KOSOVO” e “DORA E MIRESISE”.

Po për dyshime si i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviçit dhe i lidhur me Veselinoviç, në listë është futur edhe Marko Rosiç, i lindur më 1993 në Mitrovicë.

Firma “PRIZMA B.I” që merret me ndërtim të projekteve të inxhinierisë civile, e krijuar në vitin 2001 është futur në listën e sanksioneve për lidhje po me Veselinoviçin.

Për lidhje me Veselinoviçin në këtë listë kanë përfunduar edhe Radule Steviç nga Leposaviqi e Zharko Jovan Veselinovic nga Zveçani.

Zvonko Veselinoviç i njohur në Kosovë dhe në Serbi për kontrabandë me derivate të naftës, me tekstil, vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011.

Në listën e zezë e ndërlidhur me Veselenoviç është, në listë është futur edhe biznesi S.T.R. KRISTAL i krijuar në vitin 2005 që merret me formësimin, përpunimin e shitjen e qelqit.

Exit mobile version