Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen më 19 maj, do të përfaqësohet nga katër kandidatë për kryetar komunash në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kandidatja për kryetare në Mitrovicën e veriut, Gonxhe Çaushi tha se pret që numri i votuesve shqiptarë të rritet edhe më shumë.
Ajo për Telegrafin tha se pret edhe nga komunitetet tjera t’ia besojnë votën e tyre në këto zgjedhje.
“Pres që numri i votuesve shqiptarë të rritet edhe më shumë, duke marrë parasysh që jam e vetmja kandidate për kryetare që kandidoj nga komuniteti shqiptar, dhe marrë parasysh që një pjesë e serbëve nuk do të dalin në zgjedhje, pres fitore në një proces të qetë të rregullt dhe demokratik. Pres që edhe komunitetet të tjera duke përfshirë edhe komunitetin serb të ma besojnë votën dhe të dalin të votojnë”, ka thënë ajo.
E pyetur se a pret përkrahje nga partitë tjera politike të komunitetit shqiptar, Çaushi tha: “Ne nuk kemi bërë koalicion me partitë tjera. Duke u bazuar në të kaluarën, që përpos që nuk janë treguar të unifikuar meqë kam qenë kandidatja e parë që kam shpreh kandidimin, përkundrazi i kam pas edhe kundërshtarë. Andaj ne kemi koalicion vetëm me qytetarin pasi për neve ka rëndësi vota e tyre, pa dallim etnie apo bindje politike. Ne jemi subjekti më i madh në veri. Jemi të vetmit që kemi dy asamblistë e kjo është falë besimit të qytetarëve ndaj nesh dhe punës tonë e cila është në interes të tyre tash e shumë vite”.
Ndërsa, kryetari i PDK-së dega në Zveçan, Fatmir Kelmendi, tha se kandidat për kryetar do të jetë Ilir Peci.
Ai tha se gjasat për fitore në këtë komunë janë minimale duke e ditur strukturën e popullsisë ku shumica janë të kombësisë serbe.
“Do të kandidojmë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme me kandidatin për kryetar të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci. Gjasat janë më shumë se minimale duke e ditur strukturën e popullsisë ku shumica janë të komunitetit serb. Kemi vendos që edhe ne të marrim pjesë si subjekt politik”, tha ai.
Ndërsa kryetari i PDK-së, dega Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha për Telegrafin se në këtë komunë, kandidat për kryetar komune e kanë caktuar, Hysen Mehmetin.
“Shpresojmë që të kemi gjasa për fitore”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa, kryetari i PDK-së dega Leposaviq, Shaqir Hetemi konfirmoi se në këtë komunë kandidat për kryetar nga kjo parti do të jetë ai vet.
Ndryshe, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58.520 votues, me dallim prej 1.507 votues më shumë, në krahasim me zgjedhjet lokale të datës 22 tetor 2017.
Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22.242 persona, në Leposaviq 18.390, në Zveçan 9.276 dhe në Zubin Potok 8.612 persona kanë të drejtë vote