Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie, duke thënë se këtë vendim e mori me qëllimin që “të anulojë vendimet e jashtëligjshme të marra në të kaluarën”.
Disa prej emrave të zyrtarëve që janë shkarkuar nga ministrja Gërvalla e që ishin punësuar nga paraardhësit e saj.
Mes emrave të shkarkuar janë Shota Bukoshi, vajza e Bujar Bukoshit, e cila ka mbajtur pozitën e këshilltares së ambasadës së Kosovës në Berlin.
Sipas burimeve janë shkarkuar edhe Blerim Canaj, që mbante pozitën e konsullit në ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Bahrije Hoti e cila ka qenë shefe e konsullatës së Republikës së Kosovës në Bern.
Të shkarkuar janë edhe Adnan Dragaj dhe Enver Buçaj të cilët kishin marrë pozita në kohën kur MPJ-në e drejtonte Enver Hoxhaj.
“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.