-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Këta janë diplomatët e Rusisë që po “fshihen” në Serbi

Në muajt pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, vitin e kaluar, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Disa nga to përmendën dyshimet për spiunim si arsye për dëbimin e emisarëve.

Së paku tre prej tyre u rishfaqën më pas si diplomatë të akredituar në Serbi – dy prej të cilëve kanë lidhje me inteligjencën ruse, tregon një hulumtim disamujor i Radios Evropa e Lirë.

Më 11 prill të vitit 2022, Kroacia njoftoi se do të dëbojë 18 diplomatë rusë dhe gjashtë punonjës mbështetës nga Ambasada ruse në Zagreb, duke përmendur si arsye “agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës”.

Në mesin e diplomatëve të dëbuar nga Kroacia ishte Aleksei Ivanenko, i cili shërbeu si sekretar i dytë i Ambasadës ruse, tregon një listë e zyrtarëve të dëbuar që Radio Evropa e Lirë e siguroi nga një burim në qarqet diplomatike evropiane.

Në kohën kur u dëbua, Ivanenko kishte shërbyer më shumë se dy vjet në misionin diplomatik rus në Zagreb, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Jashtme kroate.

Brenda gjashtë muajsh, Ivanenko, 38 vjeç, mori postin e ri në Beograd, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme serbe.

Pas zhvendosjes në Serbi, së bashku me gruan e tij, Yekaterina, ai u promovua si sekretar i parë i ambasadës në Beograd.

Sipas disa të dhënave të rrjedhura nga Qeveria ruse, të rishikuara nga REL-i, Ivanenko – rreth një dekadë përpara dëbimit të tij nga Kroacia – punonte në një sektor tjetër të shtetit rus.

Sipas këtyre të dhënave të rrjedhura, Ivanenko punonte si “inxhinier” për Njësinë Ushtarake 71330 – një emër tjetër ky për Qendrën 16 të FSB-së ruse. Lidhja e Njësisë Ushtarake 71330 me FSB-në konfirmohet nga burime të hapura, që përfshijnë vendime të gjykatave ruse.

Rreth dy javë përpara se Kroacia të shpallte dëbimin e 18 diplomatëve rusë, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, autoritetet amerikane zbuluan paditë e tre oficerëve të inteligjencës ruse, që punonin për Qendrën 16, të akuzuar për hakimin e kompanive bërthamore amerikane dhe të tjerave për gati gjashtë vjet.

Katër muaj pasi Ivanenko dhe diplomatë të tjerë rusë u dëbuan nga Zagrebi, Komanda Kibernetike e SHBA-së dërgoi punonjës në Kroaci “për të gjurmuar aktivitetet keqdashëse kibernetike në rrjetet partnere.

Gruaja e Ivanenkos, Yekaterina, ishte violiste profesioniste në Teatrin Bolshoi në Moskë.

Në vitin 2015, një shoqe e Yekaterina Ivanenkos postoi një fotografi të saj, të një vajze të re dhe të një burri, duke i përqafuar ata në një qendër kulturore ruse në Nju Delhi.

Softueri i njohjes së fytyrës tregon se burri në atë fotografi është – me shumë gjasa – i njëjti burrë i fotografuar në janar në një festë fetare ortodokse në Serbi, së bashku me një diplomatnga Ambasada ruse.

Ministria e Jashtme kroate nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Përmes Facebookut, REL-i i dërgoi kërkesë për koment edhe Yekaterina Ivanenkos, e cila nuk u përgjigj dhe e bllokoi gazetarin që e dërgoi atë.

Shtëpi për spiunë

Në mars të vitit 2022, Polonia njoftoi se do të dëbojë 45 oficerë të dyshuar të inteligjencës ruse, që paraqiteshin si diplomatë. Varshava i konsideroi ata si “kërcënim për interesat e vendit” dhe i akuzoi se punojnë “për të minuar stabilitetin e Polonisë dhe të aleatëve të saj”.

Polonia nuk identifikoi publikisht asnjërin prej zyrtarëve të shënjestruar. Por, një nga emrat që u zhduk nga faqja e internetit e Ambasadës ruse në Varshavë menjëherë pas, ishte Mikhail Generalov.

Diplomatët rusë të dëbuar nga Evropa pas pushtimit të Ukrainës

Në ditën kur Polonia lëshoi deklaratën, Generalov, 39 vjeç, ishte ende i listuar si këshilltar në ambasadën në Varshavë. Polonia u dha diplomatëve të dëbuar rusë pesë ditë kohë për t’u larguar nga qyteti.

Identifikimi i diplomatit rus, Mikhail Generalov

Më 1 prill, emri i Generalovit ishte hequr, ashtu si edhe i 43 diplomatëve të tjerë rusë, të vendosur në Varshavë, tregoi një version i arkivuar i ueb-faqes së ambasadës.

Një zyrtar polak, në dijeni për këtë çështje, por jo i autorizuar të flasë publikisht, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Generalov është dëbuar nga Polonia pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Sidoqoftë, Generalov shpejt mori pozitën e re. Gjashtë muaj më vonë, ai iu bashkua Ambasadës ruse në Beograd si këshilltar.

Listat diplomatike që mbahen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, tregojnë se Generalov e mori këtë detyrë në shtator të vitit 2022 dhe, sipas listës së fundit të disponueshme, ai ishte në atë pozitë edhe në shkurt.

Të dhëna nga lista e akredituar e diplomatëve rusë në Serbi. Mars, 2023

REL-i i konfirmoi në mënyrë të pavarur lidhjet midis Generalovit dhe aparatit të inteligjencës ruse. Të dhëna të rrjedhura për pasurinë e paluajtshme në Moskë tregojnë se rezidenca e Generalovit ndodhet në një kompleks në rrugën Vilnyusskaya, në jugperëndim të Moskës.

Ky kompleks u ndërtua në vitin 2001 për Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme ruse, të njohur si SVR, me dekrettë kryetarit të atëhershëm të Moskës, Yury Luzkhov.

Lidhjet midis kompleksit dhe inteligjencës ruse u shfaqën në vitin 2011 në raporte të mediave, pasi një kolonel i SVR-së vdiq si pasojë e rënies nga dritarja e banesës së tij atje.

Në ueb-faqen e shkollës së Ambasadës ruse në Varshavë u shënua vizita e Generalovit atje në shkurt të vitit 2017, i cili në atë kohë u prezantua si sekretar i dytë i ambasadës.

Ministria e Jashtme polake nuk pranoi t’i komentojë të dhënat personale të diplomatëve të dëbuar rusë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në publikimin e këtij teksti.

REL-i u përpoq të merrte një koment edhe nga Generalovi përmes llogarisë së tij në rrjetin social rus, VKontakte. Aty del që mesazhi u lexua, por përgjigje nuk kishte.

Helsinki dhe Haga

Së paku një diplomat tjetër që aktualisht shërben në Ambasadën ruse në Beograd, u fut në listën e zezë të Holandës, së bashku me 17 diplomatë tjerë rusë, të cilët Qeveria holandeze i dëboi pas pushtimit të Ukrainës. Haga i cilësoi ata si oficerë të inteligjencës ruse.

Diplomati Dmitry Barabin shërben si sekretar i dytë në Ambasadën ruse në Beograd të paktën që nga shtatori.

Qeveria holandeze njoftoi në mars të vitit 2022 – një muaj pas nisjes së pushtimit rus – se po dëbonte 17 oficerë të inteligjencës ruse “për shkak të kërcënimit për sigurinë kombëtare që paraqet ky grup”.

Barabin nuk ishte në mesin e atyre që u dëbuan nga Holanda, por, përkundrazi, atij iu ndalua të hynte në këtë vend, përpara se të merrte postin e tij në Ambasadën ruse në Hagë, tregon një hulumtim i kryer në tetor të vitit 2022 nga Qendra Dossier – një grup hulumtues i themeluar nga kritiku në mërgim i Kremlinit dhe biznesmeni Mikhail Khodorkovsky, në bashkëpunim me De Tijd, NOS.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Jashtme holandeze nuk pranoi të komentojë.

Ministri i Jashtëm i Holandës, Wopke Hoekstra, tha muajin e kaluar – në prag të përvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës – se Holanda ka vendosur ta kufizojë numrin e diplomatëve rusë, për shkak të “përpjekjeve të vazhdueshme të Moskës për të dërguar agjentë të inteligjencës në Holandë, nën maskën diplomatike”.

Barabin, 38 vjeç, dhe gruaja e tij janë aktivë në rrjetet sociale, por informacioni i disponueshëm publikisht për karrierën e tij diplomatike është i pakët. Gazetarët nuk arritën të identifikojnë asnjë pozicion të tij diplomatik, përpara mandatit në Beograd.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Barabini përmes llogarisë së tij në VKontakte. Kërkesa u lexua, por nuk kishte përgjigje.

Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment në lidhje me stafin e saj diplomatik në Beograd.

Babai i Barabinit ka shërbyer më herët si drejtues i Institutit të Hartografisë në Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Diplomati i tretë rus, i punësuar aktualisht në Ambasadën ruse në Beograd, la pozicionin e tij në një vend të BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

Diplomati Pyotr Dolgoshein figuron si këshilltar në Ambasadën ruse në Beograd. Deri në verën e vitit 2022, ai mbante postin e sekretarit të dytë në Ambasadën ruse në Helsinki.

Qeveria e Finlandës njoftoi në prill të vitit 2022 se do të dëbonte dy diplomatë rusë. Ajo, po ashtu, refuzoi ta zgjasë vizën e një diplomati të tretë, si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe “situatës së sigurisë në Evropë”.

Nuk është e qartë nëse Dolgoshein është në mesin e diplomatëve rusë të përmendur në deklaratën e Qeverisë finlandeze.

Emri i tij mbeti në mesin e emrave të 61 diplomatëve rusë, të listuar në ueb-faqen e ambasadës në Helsinki, edhe dy muaj pasi Finlanda njoftoi për dëbimin e diplomatëve, megjithëse faqja thotë se është përditësuar për herë të fundit në tetor të vitit 2021.

Deri në gusht të vitit 2022, emrat e diplomatëve në listë u zvogëluan për tre dhe emri i Dolgosheinit u zhduk së bashku me emrat e dhjetë diplomatëve të tjerë rusë, të cilët ishin në listë nga qershori i atij viti. Saktësisht se cilët u dëbuan dhe cilët u zhvendosën jashtë Finlandës, është e paqartë.

Zhvendosja e Dolgosheinit nga Finlanda në Serbi është gjithashtu e dukshme në postimet e tij në rrjetin VKontakte, ku ai ka të paktën një llogari me pseudonim. Në shkurt të vitit 2021, ai postoi një fotografi ‘selfie’ pallatit presidencial në Finlandë. përparaNë dhjetor të vitit 2022, ai publikoi fotografi nga Tempulli i Shën Savës në Beograd.

Si Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës, ashtu edhe Ambasada e Finlandës në Beograd refuzuan ta komentojnë këtë rast.

Dolgoshein ishte në listë si përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë në Finlandë.

Gjithashtu, ka të dhëna se ai ka qenë pjesë e kontingjentit paqeruajtës rus në Kosovë.

Dolgoshein nuk iu përgjigj kërkesës për koment, të dërguar në llogarinë e tij në VKontake.

Në lidhje me diplomatët e rinj rusë në Beograd, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe nga zyra e presidentit Aleksandar Vuçiq, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

“Vend vëllazëror e miqësor”

Ambasada ruse në Beograd, më herët, ishte e përfshirë në një aferë spiunazhi. Në nëntor të vitit 2019, Qeveria serbe njoftoi se ka zbuluar një rrjet rus të spiunimit, të lidhur me ambasadën, çfarë e shtyu Vuçiqin ta thërriste në bisedë informative ambasadorin rus.

Vuçiq, megjithatë, e minimizoi incidentin.

“Ne nuk do ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Rusisë. Ne e shohim atë si një vend vëllazëror dhe miqësor… por ne do të forcojmë mbrojtjen e inteligjencës”, tha Vuçiq.
Nikolla Lluniq, ish-diplomat ushtarak serb, i cili sot kryeson Këshillin joqeveritar të Beogradit për Politika Strategjike, i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se Serbia mund të rrezikojë integrimin e saj evropian duke u dhënë “strehë diplomatike” diplomatëve të dëbuar rusë.

“Veprimi si ky i Serbisë mund të perceptohet në Perëndim si mbështetje diplomatike, dhe ndoshta inteligjente, për përpjekjet e përgjithshme të luftës ruse [në Ukrainë]”, tha Lluniq.

Ai tha se shërbimet e inteligjencës, si rregull, “përdorin privilegje diplomatike për t’i kryer detyrat e tyre të inteligjencës pa pengesa, me imunitet diplomatik”.
“Është e qartë se, në këtë moment, Serbia përfaqëson strehën e fundit në Evropë për punë të sigurt të inteligjencës së operativëve rusë”, tha Lluniq.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img