Site icon PrishtinaPress

Këta janë babë e bir që dyshohen se rrahën brutalisht dy persona pas një aksidenti në Prishtinë

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen aksidentet që shkaktohen, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë dhe këtë herë në rrahje janë përfshirë katër persona, dy prej të cilëve dyshohet se sulmuan dy të tjerë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Skender dhe Raif Brajshorin, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet se rrahën brutalisht viktimat.

Sipas informacioneve të para, fillimisht palët janë kapur mes vete verbalisht dhe më pas dy të dyshuarit i kanë goditur viktimat me mjete të forta, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Posa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, te njëri nga të dyshuarit është gjetur një armë zjarri dhe më pas të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre dhe inicimin e rastit për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë me dije se arma dhe rreth 15 fishekë që u gjetën janë sekuestruar si provë lidhur me rastin.

 

Exit mobile version