Dita e Çlirimit të Kosovës ka rikthyer përsëri në vend debatin e zjarrtë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sikur një vit më herët, edhe këtë vit në thumb të kritikës është vënë shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, e cila në shkrimin e saj kushtuar Ditës së Çlirimit të Kosovës nuk e ka përmendur fare UÇK’në.
Një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta në nivel opinionistësh e partish politike, derisa vet Gërvalla është detyruar që të dal me një sqarim në profilin e saj në ‘facebook’.
Ajo e ka quajtur debatin e nxitur sëfundi si të përsëritur dhe tendencioz.
“Kontributi im në një debat të përsëritur dhe tendencioz. E vërteta gjithmonë e mund gënjeshtrën, sado e zëshme të jetë kjo e fundit”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj teksa ka bashkangjitur videon e fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit.
Por çfarë kishte thënë Gërvalla për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në një intervistë për RTV Dukagjini në marsin e këtij viti, pikërisht e pyetur për kritikën që i bëhet si anti-UÇK.
Gërvalla në këtë intervistë ka thënë se ka qenë një nga tre organizatoret e një proteste masive pas Masakrës në Prekaz, ku kanë marrë pjesë 100 mijë vetë e ku thirrjet kryesore kanë qenë “Krejt Kosova UÇK” dhe “Nuk jemi terroristë”, raporton Express.
“As si ministre, as si Donikë, as si veprimtare, as si nënë, as si vajza e tim eti, as si mbesa e gjyshes time, unë nuk kam as si të kem e as pse të kem diçka, përkundrazi, pretendoj që jam një ndër ata persona të cilët në një moshë shumë të re, kujtoj vetëm, për të mos përmendur 100 raste. Por, pardje kur ishim tek baci Rifat për të bërë homazhe, në shtëpi të bacit Rifat, nuk mund të mos më kujtohej rasti, kur bashkë me disa përfaqësues të LDK-së, kur kam qenë një nga bashkëorganizatoret kryesore, kur është mbledhur Grupi G7 në Bon, pak kohë pas Masakrës në Prekaz, ne kemi organizuar një protestë ku kanë marrë pjesë 100 mijë vetë, dhe në atë protestë ka pasur dy thirrje kryesore: Krejt Kosova UCK dhe Nuk jemi terrorist. Unë jam ndoshta një nga tre organizatorët e asaj proteste”, ka thënë Gërvalla në RTV Dukagjini më 8 mars 2022.
Gërvalla në këtë intervistë ka thënë se pyet veten si ka mundësi që ende ka njerëz në Kosovë që besojnë se ajo mund të ketë diçka kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“UÇK për mua është secili djalë dhe secila vajzë, secili burrë dhe secila grua që ka marrë armën dhe ka marr parasysh sakrificën më sublime për të arritur lirinë e Kosovës. Unë rrjedh nga një familje që e di se çfarë është sakrifica. Dhe ushtari i UCK-së është për mua ai karakteri më i pastër më sublim që përfaqëson luftën tonë për liri dhe finalizimin e saj. Prandaj nga unë asnjëherë… Dhe them të drejtën, ka ardhur një moment që vetëm pyetja që më shtrohet më vë në një pozitë që them, si ka mundësi që akoma ka dikush në Kosovë që beson se Donika Gërvalla mund të ketë diçka kundër UÇK’së”, ka shtuar tutje drejtuesja e GUXO në këtë intervistë.