Site icon PrishtinaPress

Kështu e shohin njohësit e sigurisë në vend dorëheqjen e policëve serbë

Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por shtatë prej tyre dhanë dorëheqje pasi u përballën menjëherë me kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.

Njohësit e sigurisë, Avni Islami dhe Nuredin Ibishi thonë se këto dorëheqje janë nga presioni i madh që Beogradi po ia bën komunitetit serbë në Kosovë.

Islami thënë se Lista serbe dhe shteti i Serbisë po e shantazhon komunitetin serbë në veri.E këto shantazhe sipas tij, bëri që disa policë të rinj të japin dorëheqje.

“Marrja e përgjegjësisë me uniformë të Policisë së Kosovës, për vet komunitetin serb është një lajm i mirë. Duke marrë parasysh shantazhet, kërcënimet që iu kanë bërë nga Lista serbe dhe shteti i Serbisë, një pjes e  tyre u detyruan të japin dorëheqje. Ky fakt i pamohueshëm dhe i pakontestueshëm tregon që vet komuniteti serbë në veriun e Kosovës është në presion të madh nga Beogradi”, ka thënë Islami.

Siç tha Islami, Serbia ka synim destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Tash po shihet, pas dorëheqjeve të komunitetit serbë nga të gjitha institucionet  e Qeverisë së Kosovës dhe sidomos nga Policia e Kosovës kanë qenë të detyruar për shkak të frikës dhe pasigurisë, madje dhe kërcënimeve me jetë të atyre që ishin në emblemën dhe uniformën e Policisë së Kosovës. Kjo tregon se ajo që do ta mbajnë të tensionuar situatën në veriun e Kosovës është Serbia, së bashku me grupet kriminale dhe Listën serbe, të cilët nuk morën pjesë në zgjedhjet e fundit”, u shpreh Islami.

Ai shtoi se ky është një sinjal se presioni që bashkësia ndërkombëtare i bëri  institucioneve të Republikës së Kosovës, ishte qasje e gabuar.

Edhe Nuredin Ibishi tha se bazuar në deklaratat e tyre, Serbia dhe Lista serbe do të vazhdojnë të sjellin destruksion në sistem të sigurisë në vend.

Ai vlerësoi se situata aktuale është e qetë dhe stabile dhe se Policia e Kosovës po bën punë të shkëlqyer në terren duke i ndërmarr të gjitha veprimet, shkruan Telegrafi.

“Situata në veri është e qetë dhe stabile dhe mendoj që sistemi i sigurisë po funksionon me kapacitete të plota duke pasur parasysh dhe rendin dhe qetësinë publike…Mendoj që Policia e Kosovës po bën punë të shkëlqyer në terren duke i ndërmarr të gjitha veprimet parandaluese në veri. Deklaratat e fundit të Qeverisë serbe dhe të Listës serbe do të vazhdojnë të sjellin destruksion në sistem në kuptimin përkundër marrëveshjeve të Brukselit por edhe në marrëveshjet e arritura në mes të liderve të BE-së dhe ShBA-së. Mendoj që lidershipi i Kosovës po bën punë maksimale që e gjithë kjo situatë të jetë e qetë dhe stabile…”, vlerësoi ai.

Exit mobile version