Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e të shtunës po merr epilog tragjik.
Vetura u nxorr në sipërfaqe pas më shumë se 27 orësh nga aksidenti. Në aksion morën pjesë ekipe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar nga Gjykata Penale në Shkup që të shqiptojë masën e paraburgimit ndaj shoferit 64-vjeçar B.B. nga Shkupi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e djeshëm në rrugën Shkup-Bllacë, ku si pasojë vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, ndërsa dje nga ujërat u nxor automjeti me 3 viktima. Nga Prokuroria thonë se do të urdhërohet edhe autopsi për 3 viktimat në mënyrë që të zbardhet rasti.
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka vazhduar kontrollin në vendin e aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë. Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenec, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes. Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është mbajtur pas aksidentit të djeshëm.
Bëhet fjalë për një 64-vjeçar, banor i Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura nga Kosova. Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje”, thonë nga Prokuroria.
Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar se nga lumi Lepenc është nxjerrë vetura e familjes nga Kosova, ku brenda saj kanë qenë edhe trupat të cilët deri më tash kanë rezultuar të zhdukur.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intensive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxerrja e veturës, me trupat e pajetë në të”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada e Kosovës në Shkup shpreh ngushëllimet e saja të thella për këtë tragjedi.
Ambasada poashtu ka shprehur falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast.
Ndryshe, pas rreth 30 orë kërkimesh policia ka gjetur tre trupat e pajetë, të cilët pas një aksidenti në trafik dje, përfunduan në lumin Lepenc. Viktimat i përkasin familjes së njëjtë, një çift burrë e grua dhe djali i tyre i mitur.
“Nga ana e shërbimeve të policisë dhe njësisë speciale “Tigrat”. është gjetur edhe makina “BMW” me të cilin ata ishin transportuar”, thonë nga policia maqedonase.
Drejtuesi i makinës tjetër me targa të Shkupit, të përfshirë në këtë aksident është arrestuar, kanë njoftuar nga Prokuroria.
Në veturën me targa të Kosovës ishin katër persona dhe njëri prej tyre ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin ranë në lumin Lepenc.
Personi është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.
Autoritetet maqedonase më herët gjatë 18 qershorit njoftuan se kanë ndaluar shoferin e automjetit me targa të Shkupit, që u aksidentua me makinën me targa të Kosovës.
“Sektori i punëve të brendshme në Shkup po vazhdon hetimet lidhur me incidentin në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë dhe me urdhër të prokurorit publik, drejtues i automjetit Volkswagen Turan, me inicialet B.B. është ndaluar për hetime të mëtejme”, thuhet njoftimin e MPB-së.
Në momentin e aksidentit, sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.
Në operacionin e nxjerrjes së makinës kanë marrë pjesë edhe ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova.
Në vendin e ngjarjes dolën edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.