Site icon PrishtinaPress

Këshilltarja e Kurtit: Pushtetit të Beogradit dhe të Preshevës po iu pengon Qeveria e Kosovës

Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për Luginën e Preshevës, njoftoi se Gjykata e Lartë e Vranjës (Serbi) i ka dërguar ftesë për seancë gjyqësore producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veseli.

Ajo shkroi në Facebook të enjten se nëpërmjet moslejimit për shfaqjen e filmave, pushteti qendror në Beograd dhe pushteti lokal në Preshevë po pengojnë punën e Qeverisë së Kosovës.

“Vlen të ju rikujtoj, që paraprakisht, shfaqja e këtyre filmave ishte planifikuar të bëhej në Shtëpinë e Kulturës ‘Abdulla Krashnica’ në Preshevë. Por, pa ndonjë arsye të bazuar, kryetari i Komunës së Preshevës kishte urdhëruar drejtorinë e Shtëpisë së Kulturës që mos të jap leje për shfaqjen e tyre. Sigurisht opinioni tashmë e ka të qartë, se pushteti lokal në Preshevë deri te vendimi për moslejimin e shfaqjes së filmave kishte arritur për shkak të përplasjeve deri në fyerje ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës në çdo paraqitje publike të kryetarit të Komunës”, ka shkruar Sinani.

Këshilltarja e Kurtit theksoi se për këtë, i mbetet në ndërgjegjen e tij kryetarit të Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, “që në këtë linjë në të njëjtin mentalitet me politikat shoviniste në Beograd”.

“Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës. Le të mbetet në ndërgjegjen e pushtetit lokal, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës, nëse i ka mbetur sado pak ndërgjegje, që në këtë linjë të jenë në të njejtin mentalitet me politikat shoviniste në Beograd. Rastësisht apo jo, emrat e filmave dëshmojnë se sa është “I pabesë” pushteti në Beograd dhe se sa “Heshtja vret” kryetarit të Komunës së Preshevës”, shkroi ajo.

Exit mobile version