Elvis Hoxha, Këshilltari i Kryeministrit, Albin Kurtit, ka reaguar përsëri për qëndrimet e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Hoxha ka thënë se nuk e kupton Escobarin kur flet për një partner alternativ.
“Escobari të paktën është zhvilluar në shprehjet e tij. Ai nuk flet më për partner alternativ, por për qeverinë e ardhshme. Këtu duhet të kuptojmë se për çfarë e ka fjalën: A po flet për një qeveri të re në Serbi?; A po flet për një qeveri të re në ShBA?; A po flet për një qeveri të re në Kosovë? Mirë do të ishte të mendonte për ndryshimin progresist të qeverisë në Beograd. Qeveria në Prishtinë merret me punët e veta”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
Tutje ai iu kundërpërgjigj edhe ndaj një deklarate të emisarit i cili tha se kryeministrit Kurti e zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, gjatë takimeve flasin vetëm për Serbinë.
Hoxha ka pyetur se për çfarë ka ardhur në Kosovë, Escobari.
“Sa për pohimin e tij të trishtuar se Kurti dhe Bislimi po i flasin vetëm për Serbinë, këtu përsëri na duhet të kuptojmë. Mos vallë Escobari ka ardhur në Prishtinë për diskutimin e temave të tjera dhe nuk e kemi kuptuar? Ndoshta për ngrohjen globale. Ndoshta…”, përfundoi ai.