Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka mohuar zërat se gjatë bisedës telefonike të Kurtit me Robert O’Brien, këshilltar i presidentit Donald Trump për Siguri Kombëtare dhe Richard Grenell, emisar special i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, i është thënë se SHBA po e shqyrton prezencën ushtarake në Kosovë ose që do të ndalin ndihmat ekonomike.
“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë”, ka thënë Vraniqi, përmes një postimi në Facebook.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Vraniqi.
Reagimi i Vraniqit vjen pasi një medie raportoi se gjatë bisedës telefonike, për shkak të qëndrimeve të Kurtit për tarifën, O’Brien i ka thënë atij se SHBA-ja po e shqyrton prezencën e vet ushtarake në Kosovë dhe vazhdimin e investimeve në Kosovë.