Publikimi i raportit të Dick Martyt që ngjalli polemika të shumta në Kosovë, bëri që aso kohe ish-kryeministri Hashim Thaçi ta mendonte edhe tërheqjen e tij nga skena politike.
Kështu deklaroi në Politiko në Kanal10, ish-këshilltari i Thaçit, Ismail Syla teksa e përshkroi momentin e parë pasi shfletuan lajmin e “The Guardian” për akuzat e trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Këtë moment ai e ka përshkruar të rëndë, teksa tregon se kontaktet e para të Thaçit pas publikimit të këtij lajmi ishin me mbikëqyrësin e pavarësisë së Kosovës Pieter Feith si dhe ambasadorët e huaj në Prishtinë, shkruan Gazeta10.
Por, një largim të tillë të Thaçit nga politika nuk ia propozuan ambasadorët, por i thanë se s’do “jesh i izoluar nga ne.”
“Ka qenë një titull bombë. Ka ndikuar në mënyrë globale. Dhënia e këtij lajmi ka qenë shumë i rëndë. Dëmi që e ka bërë titulli, edhe sot The Guardian nuk heq dorë tamam. Aso kohe kryeministri Thaçi ka qenë para një dileme. Kontakti i parë i tij ka qenë me Pieter Feith ka qenë kryeambasador dhe ambasadorët e QUINT-it, me idenë e qartë ‘Unë e di çka d.m.th kjo, unë s’mund ta bëjë punën time e ju të më shikoni me një sy tjetër’. Saktësisht ka thënë, e ka menduar edhe tërheqjen nga skena politike.”, u shpreh Syla tutje në Politiko./PrishtinaPress/