Site icon PrishtinaPress

Këshilltari i Bislimit: Serbia kalon pa u ndëshkuar, Kosova po penalizohet në vazhdimësi nga aleatët e saj

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë se Serbia po vazhdon politikën e saj destruktive pa u ndëshkuar, ndërsa Kosova po penalizohet në proceset e saj integruese.

“Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë”, thotë ai.


“Vendimet e mira” të Serbisë, Kadiu thotë se janë përpjekjet e saj për të destabilizuar Kosovën dhe thotë se të gjitha këto po kalojnë pa u ndëshkuar.

“Se kur do t’i kërkohet ndonjëherë Serbisë ta bëjë ajo hapin e parë konstruktiv, kjo mbetet mister. Ndoshta jo edhe aq, sepse vetëm ata që nuk duan të shohin e dëgjojnë, mund të presin diçka nga dikush që ripërsërit të njëjtin refren: “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur””.

Postimi i plotë:

Edhe pse e mohon të kaluarën, presidenti i Serbisë po ia mbivendos asaj pikërisht kthimin në të kaluarën. Në leksikun e rrezikshëm të tij të artikuluar krah për krah me udhëheqësin shpirtëror të kishës ortodokse dhe aleatin e të tij më të rëndësishëm në Ballkan, Dodik, natyrisht që thelbësor do ishte dhe qëndrimi i stërthënë i tij: “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.

Natyrshëm, lind pyetja se: çfarë po bën Kosova në këtë mes, sa të njihet me penalizime e bllokime të vazhdueshme nga vetë aleatët e saj, ndërkohë që Serbia mëton e lirë në orbitën e politikave të saj destruktive pa u ndëshkuar ndonjëherë?

Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë.

Po nëse këto “vendime të gabuara” të Kosovës janë në shërbim të forcimit të njohjes ndërkombëtare e të shtetësisë dhe të ruajtjes së shtetit të saj nga një agresor në kufirin verior, “vendimet e mira” të Serbisë janë: përqafimi i kufirit me Kosovën me forca ushtarake, bllokimi i proceseve integruese euro-atlantike të Kosovës, shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit, nxitjet e tensioneve në veri, rrëmbimi i zyrtarëve policorë, agresioni paramilitar në Banjskë, destabilizimi e ndërhyrjet në Bosnjë si dhe Mal të Zi, mosndëshkimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, marrëveshjet e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, blerja e tejskajshme e armatimit, emërimi i të sanksionuarve nga Departamenti i Shtetit amerikan në poste të larta ekzekutive, shtypja e zërave të lirë së brendshmi, vjedhja e zgjedhjeve, të gjitha këto, qenkan për t’u anashkaluar e kaluar pa ndëshkuar.

Por është në fund Kosova ajo që duhet të ndëshkohet, është ajo që duhet gjithnjë të tregojë se sa konstruktive është e të bëjë hapin e parë.

Harrohet se vija ndarëse mes së keqes dhe të mirës, të qenit në anën e drejtë apo atë të gabuar, venitet atëherë kur çdo indikacion të lë të kuptosh që ka në fakt vetëm një orientim të të gjitha këtyre vendimeve e sjelljeve. Në rastin e Serbisë, siç e dëshmuam më lart, nuk ka valëvitje të saj mes të keqes dhe të mirës, apo të drejtës e të gabuarës. Në konstelacionin e ri gjeopolitik që po ndërtohet, është po e njëjta e vjetra Serbi.

Se kur do t’i kërkohet ndonjëherë Serbisë ta bëjë ajo hapin e parë konstruktiv, kjo mbetet mister. Ndoshta jo edhe aq, sepse vetëm ata që nuk duan të shohin e dëgjojnë, mund të presin diçka nga dikush që ripërsërit të njëjtin refren: “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.

Epo normalizimi i marrëdhënieve, nuk mund të jetë kurrsesi normalizim i kthimit të Serbisë në Kosovë. Marrëdhënie ka mes shtetesh. Nuk mund të ketë marrëdhënie mes shtypësit e të shtypurit. As nuk mund të bëhet kompromis që çon drejt nënshtrimit e kthimit prapa në kohë.

Historia ka gjithmonë potencial përsëritës andaj dhe duhet bërë çmos që gabimet e së shkuarës, të mos riaktualizohen në të tashmen. Duhet të ketë mirënjohje, dhe jo penalizim e ndëshkim, prej të qenit demokratik e progresist.

Exit mobile version