Site icon PrishtinaPress

Këshilltar i qeverive të Kosovës që nga viti 1992: Formësimi i dialogut është bërë vetëm sipas interesave të Serbisë

Profesori Marc Weller që ka shërbyer si këshilltar i kohëpaskohshëm i qeverive të Kosovës që nga viti 1992 ka bërë një analizë të thellë rreth dialogut të Brukselit dhe ngecjet në të.

Kjo ekspertizë e Weller, i analizon arsyet e bllokimit aktual të negociatave të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Thotë se dialogu po udhëhiqet nga lehtësuesi aktual i BE-së në mënyrë tejet të pabalancuar, aq sa e rrezikon vazhdimin e procesit.

“Duke e akomoduar refuzimin e Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë të Brukselit të datës 27 shkurt 2023, procesi duket se fokusohet vetëm në çështjet që Republika e Serbisë do që të diskutohen dhe të cilat kërkojnë sakrifica vetëm nga Republika e Kosovës. I gjithë procesi, përfshirë edhe nismën gjermano-franceze për një marrëveshje bazë, duket se është transformuar në një makineri për t’i bërë trysni Kosovës që t’i pranojë kërkesat e Serbisë duke e injoruar plotësisht balancën e pretenduar të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Ky fakt bëhet edhe më i rëndë me humbjen e besimit te tehtësimi i BE-së dhe qasjen i saj të gabuar, të pabalancuar e ndonjëherë edhe joprofesional gjatë procesit”

Sipas tij, formësimi i dialogut është bërë vetëm sipas interesave të Serbisë.

“Me gjithë fokusin e qartë të dialogut dhe mandatin e PSBE-së, z. Lajçak, procesi i Brukselit kryesisht e ka injoruar këtë qëllim të përgjithshëm. Në vend të kësaj, ka pasur përpjekje për t’i ringjallur bisedimet dhe marrëveshjet teknike. Republika e Kosovës ka përsëritur disa herë se shumë, nëse jo shumica dërrmuese e këtyre marrëveshjeve, që janë më shumë se 20, nuk janë zbatuar nga Republika e Serbisë”, ka shkruar Weller

Megjithatë, sipas tij në pajtim me interesat dhe kërkesat kyç të Republikës së Serbisë, dialogu është fokusuar në një temë të vetme kyç që i intereson Serbinë. Ky është zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit nga 2013-a, dhe kjo vetëm sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKSHS) që propozohet në të.

“Në fakt, kjo marrëveshje i përmban disa elemente që Serbia nuk i ka zbatuar. Në vend se të merret një pikëvështrim i balancuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit, kërkesa që lidhet për AKSHS është lejuar të shndërrohet në temën të madhe që tash i dominon negociatat aktuale. Kështu, Lehtësuesi dhe përkrahësit e tij ndërkombëtarë i kanë kornizuar palët në një diçka që duket se është shndërruar në rebus të pazgjidhshëm”

Weller thotë se në vend se të kërkojnë zgjidhjen e nyjës gordiane me propozime inovative në negociata, e gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar në detyrimin e Republikës së Kosovës që t’i pranojë disa kërkesa të veçanta në këtë pikë.

“Një trysni e këtillë e njëanshme nuk besohet se mund ta impresionojë një qeveri që ka ardhur në pushtet me mandat të fuqishëm popullor për të mbrojtur sovranitetin dhe vetëvendosjen e Kosovës”.

Exit mobile version