1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Këshilltar i qeverive të Kosovës në konferencën e Rambujesë: Marrëveshja e marsit nuk ofron njohjen e Kosovës nga Serbia

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese në Universitetin e Kembrixhit dhe këshilltar i qeverive të Kosovës në konferencën e Rambujesë dhe në procesin e Vjenës, që solli pavarësinë e Kosovës, Marc Weller, ka diskutuar për Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i BE-së, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Weller në një intervistë për kallxo.com ka thënë se kjo marrëveshje është një hap drejt një hapi tjetër që çon drejt qëllimit kryesor.

Megjithëkëtë, sipas tij, kjo marrëveshje nuk ofron njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.

“Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e kanë bërë të qartë se kjo marrëveshje thjesht e skicon rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Kjo marrëveshje nuk e ofron këtë, por ofron disa gjëra në mes ngase marrëveshja ofron atë që Serbia dhe Kosova, në fakt, duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën si shtete edhe pa e njohur ende plotësisht njëra-tjetrën si shtete” – ka thënë Weller.

Ai ka shtuar që edhe pse kërkesa kryesore e Kosovës mbetet njohja, sipas tij askush nuk ka pritur që kjo të realizohej në shkurt ose mars të këtij viti.

“Ka ende rrugë për të bërë, por Kosova ka të drejtë të bëjë presion për përparim të mëtejshëm në rrugën për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare. Është e qartë se Bashkimi Evropian ka kërkuar që Serbia të mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm nëse arrin atë që quhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht detyruese për normalizimin me Kosovën” – ka shtuar më tej Weller.

Më 27 shkurt në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Takimi i radhës do të mbahet në fund të këtij muaji në Maqedoninë e Veriut.

Kosova nuk guxon të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes

Marc Weller, i cili ka qenë këshilltar i qeverive të Kosovës në negociatat me Serbinë për gati dy dekada, është pyetur se a duhet të kemi frikë që pika 7 e Planit franko-gjerman mund të çojë në krijimin e një Republike Srpska.

Weller ka thënë se Republika Srpska është një shembull shumë i keq që nuk duhet të ishte pranuar kurrë në atë formë ngase ajo vulosi ndarjen e Bosnjës, edhe nëse shteti i Bosnjës si tërësi do të vazhdonte.

Një gjë e tillë, sipas Weller, nuk është propozuar as në pikat e Marrëveshjes së arritur në vitin 2013.

“Kosova ka të drejtë në atë që insiston që bashkëpunimi ndërmjet komunave nuk guxon, pra nuk guxon asnjëherë të çojë në krijimin e një niveli të tretë të qeverisjes brenda shtetit. pikërisht këtu është e dobishme kjo marrëveshje e re, sepse kjo sqaron se po flasim për një Asociacion ku komunat që bashkëpunojnë në zbatimin e autoritetit që tashmë e kanë si komunë, dhe për këtë arsye nuk u shtohet asnjë autoritet tjetër përveç mundësisë për të koordinuar atë që tashmë e bëjnë, pra të koordinohem më shumë së bashku” – ka thënë Weller.

Weller: Me marrëveshjen e fundit Kosova për herë të parë është në një pozitë të mirë

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese në Universitetin e Kembrixhit, Marc Weller, ka diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë që për herë të parë Kosova është në një pozitë të mirë strategjike.

Weller tha se Serbisë po i kërkohet diçka shumë e vështirë, pra, Serbia duhet të heqë pjesën nga Kushtetuta e saj që pretendon se Kosova është pjesë integrale e saj dhe duhet ta njohë Kosovën.

“Pra, koncesioni i madh duhet të vijë prej anës së Serbisë dhe kjo është shumë, shumë e vështirë. Në anën tjetër, në mënyrë që të vazhdojë ky çekuilibrim në favor të Kosovës, Kosova duhet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociata” – ka shtuar Weller për kallxo.com.

Tutje Weller ka thënë se nëse Kosova angazhohet në mënyrë konstruktive në të gjitha pjesët e kësaj marrëveshjeje fillestare në rrugën drejt normalizimit të plotë, atëherë Serbia nuk mund të fshihet pas argumentit se Kosova po e pengon procesin dhe sipas tij, çështja e njohjes ende nuk ka dalë realisht në diskutime.

“E mira që ka ndodhur është se BE-ja dhe SHBA-ja kujtojnë letrën e Presidentit Biden që ju sapo e përmendët, dhe kanë konfirmuar se synimi në përgjithësi mbetet njohja e plotë. Ata e quajnë atë një qasje të përqendruar në njohjen në negociatat e mëtejshme për normalizimin. Pra, kjo është në të vërtetë shumë e dobishme. Dhe kjo ishte me të vërtetë hera e parë në letrën e Bidenit e dërguar para pak më shumë se një viti e ku kjo thuhej kaq qartë” – ka thënë më tej Weller.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img