Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur shqetësime mbi deklaratat e zyrtarëve qeveritarë kundrejt prokurorëve.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në “facebook”, ku i quan prokurorët kriminel. Deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial”, thuhet në deklaratën e KPK-së.
Tutje, Këshilli ka paralajmëruar se “nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”.
“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, kishte shkruar zëvendësministri Sallahu.
KPK është zotuar se nuk do të lejojë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial nga asnjë interferim dhe nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik.
Këto reagime kanë ardhur pasi përgjatë ditës është raportuar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha, së bashku me Driton Gashin, ish-drejtor i AKI-së, kanë përfshirë dy agjentë si deshmitarë të rrejshëm në rastin e njohur “Syri i Popullit”.